6

Nismë bashkëpunimi ndërmjet USHT-së dhe Universitetit Haxhi Tepe të Ankarasë

Tetovë, 24 tetor - Përfaqësues të Universitetit Shtetëror të Ankarasë “Haxhi Tepe” kanë qëndruar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Këtë delegacion e ka udhëhequr prof. dr. Murat Shen, i cili udhëheq me katedrën e Kimisë në këtë universitet.

Gjatë takimit të realizuar të mërkurën, delegacioni universitar turk është pritur nga Prorektori për shkencë në USHT prof. dr. Agim Shabani dhe kryetari i Senatit të USHT-së prof. dr. Lutfi Istrefi. Temë kryesore e takimit ka qenë bashkëpunimi ndërmjet USHT-së dhe Universitetit “Haxhi Tepe”. “Do të angazhohemi që këtë bashkëpunim ta formalizojmë me një marrëveshje konkrete për bashkëpunim. Do të ishte kënaqësi për ne që kuadrot e universitetit tonë të përsosen profesionalisht në Universitetin Haxhi Tepe, i cili udhëheq në shumë fusha shkencore,në rajon dhe më gjerë”, ka thënë prorektori Shabani.

Nga ana tjetër prof. dr. Sheh, ka prezantuar Universitetin “Haxhi Tepe” dhe fushat në të cilat ky universitet është i gatshëm për bashkëpunim. “Do të ishte një bashkëpunim shumë i frytshëm ndërmjet universiteteve tona. Është gabim kur universitetet nga shtetet ballkanike sytë i kanë vetëm nga perëndimi, përderisa në disa segmente jemi në një nivel, ndoshta ne jemi edhe më të mirët”, ka thënë prof. dr. Murat Shen. Kryetari i Senatit të USHT-së, prof. dr. Lutfi Istrefi, ka theksuar se USHT-ja ofron bashkëpunim, sidomos në fushën e gjuhës e letërsisë shqipe, ku kuadrot e USHT-së do të ishin mjaft të vyeshëm për universitetin turk. “Bashkëpunimi jonë duhet të orientohet në drejtim të shkëmbimit të përvojave në shkencë dhe arsim.

 

Ne mund të ofrojmë ligjërues të gjuhës shqipe, ndërsa do të ishte e mirëseardhur nëse kuadrot tona do të përsoseshin profesionalisht në Universitetin Haxhi Tepe” ka thënë prof. dr. Istrefi. Përfaqësuesit e Universitetit “Haxhi Tepe” kanë mbajtur edhe një prezantim para studentëve të FSHMN-së në USHT, ku kanë prezantuar universitetin e tyre. Universiteti Shtetëror i Ankarasë “Haxhi Tepe”, është një ndër universitetet më të mëdha në Turqi. Ky universitet paraqet institucionin kryesues shkencor në rajon dhe më gjërë në disa fusha, sikurse janë shkencat mjekësore, elektronika, automatika, shkencat matematikore natyrore, ku mund të vecohet kimia polimere.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.