6

“Shanse për fillim të ri” i dhuron një automjet zjarrfikës USHT-së

Të enjten (25 tetor 2007), organizata humanitare “Shanse për fillim të ri” (Chance Fuer Neuanfang e.v.) nën kryesimin e z. Eduard Singer i dhuroi Universitetit Shtetëror të Tetovës një automjet zjarrfikës. “Shanse për fillim të ri” është organizatë ndihmëse ndërkombëtare humanitare e cila u themelua në dhjetor të 2004 si përgjigje ndaj katastrofës së vërshimeve Tsunami në Azinë Juglindore nga “Gesellschaft des Gottlichen Wortes (SVD)- Shoqëria e fjalës së Zotit” si dhe prej z. Bernd Nagel dhe Eduard F. Singer.

Përvec këtij qëllimi, “Shanse për fillim të ri” organizon edhe projekte ndihmëse në Evropë. Z. Eduard Singer u shpreh se ndjehet krenar që realizoi këtë akt human për Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ai u shpreh “Të gjithë anëtarët e organizatës janë angazhuar personalisht për rregullimin dhe përgatitjen e automjetit.

Janë harxhuar mbi 300 orë angazhim dhe investime personale të anëtarëve të shoqatës. Automjeti vlerësohet me mbi 40.000 euro dhe është i pajisur me mjetet më të sofistikuara për siguri” Pranimi i veturës zjarrfikëse u bë në Rektoratin e USHT-së nga vetë Rektori i Universitetit, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili u shpreh falënderues për donacionin e cmueshëm të organizatës humanitare “Shanse për fillim të ri” nga Gjermania.

“Është një ndihmë e cmueshme për Universitetin Shtetëror të Tetovës. Parimisht do të shfrytëzohet si mjet siguri për godinat e Universitetit, megjithatë edhe studentët nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, më saktësisht studentët e programit studimor mekatronikë dhe ata të inxhinierisë ekonomike do ta shfrytëzojnë për ushtrime dhe trajnime.”- u shpreh Rektori prof.dr. Sadi Bexheti.

E tërë iniciativa u nis nga profesori Omer Xhemaili nga Universiteti i Frankfurtit i cili edhe ndërmjetësoi për realizimin e këtij donacioni. Rektori i USHT-së, me këtë rast u ndau mirënjohje organizatës “Shanse për fillim të ri”, z. Eduard Singer, z. Horst Keller, z. Marx Heribert dhe z. Omer Xhemaili, për kontributin e dhënë në ndihmë të Universitetit Shtetëror të Tetovës.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.