6

Zyrtarë të lartë të USAID-it qëndruan në USHT

Të enjten (25 tetor 2007) Universitetin Shtetëror të Tetovës e vizituan zyrtarë të lartë të USAID-it nën udhëheqjen e z. Mohammad Latif, përgjegjës në Evropë dhe Azi. Qëllimi i vizitës ishte informimi për së afërmi me kushtet e studimit në Universitetin Shtetëror të Tetovës, rreth Fakulteteve në USHT, gjendjen aktuale të arsimit sipëror në Maqedoni, përfaqësimit të grupeve të ndryshme etnike në Universitet, numrit të studentëve dhe rreth cështjeve tjera mbi funksionimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe arsimit të lartë në përgjithësi.

“Arsimimi është një sfidë e kohës jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për gjithë rajonin” u shpreh z. Latif. Ai gjithashtu u interesua edhe për përfaqësimin e studentëve me përkatësi të ndryshme fetare dhe bashkëpunimin mes këtyre komuniteteve në arsimin e lartë si dhe inkorporimin e tyre në jetën shoqërore.

Rektori i USHT-së, prof.dr. Sadi Bexheti informoi gjerësisht mbi gjendjen aktuale të Universitetit Shtetëror të Tetovës, mbi akreditimet e reja të fakulteteve, respektivisht programeve studimore dhe mbi projektet në vijim dhe ato të planifikuara për periudhën vijuese.

Ai u shpreh mirënjohës për vizitën e përfaqësuesve të USAID-it dhe shprehu falënderime për përkrahjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane jo vetëm në USHT por në përgjithësi për arsimin e lartë në vend. Përfaqësuesit e USAID-it realizuan vizitë edhe në Fakultetin Filologjik, programin studimor gjuhë angleze si dhe Fakultetin e Arteve, duke kontaktuar dhe njoftuar drejtpërdrejt nga studentët e USHT-së.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.