6

Delegacioni i Universitetit Medicinal të Gracit-Austri, i udhëhequr nga Rektori, prof. dr. Gerhard Franz Walter, në USHT

 

Të martën (26 qershor 2007), një delegacion i Universitetit Medicinal të Gracit i udhëhequr nga Rektori i këtij Universiteti, prof. dr. Gerhard Franz Walter dhe Prorektori për arsim, prof. dr Gilbert Reibnegger u prit nga Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr Sadi Bexheti, Prorektori për arsim, prof. dr. Agim Vela dhe Prorektori për marrëdhënie me jashtë, prof. dr. Hamit Mehmeti, me c'rast u diskutua për bashkëpunimin mes këtyre dy Universiteteve, sidomos për Fakultetin e Mjekësisë që pritet të filloj me punë në vitin akademik 2008/2009.

Universiteti i Gracit do të ofroj përkrahje në fushën e përpilimit të plan-programeve mësimore të Fakultetit të Mjekësisë të USHT-së, do të i mundësoj kuadrove të USHT-së specializime në Austri, do të i mundësoj studentëve të Fakultetit të mjekësisë së USHT-së të vazhdojnë studimet në Universitetin Medicinal të Gracit, pas vitit të 3-të të studimeve si dhe do të ofroj përkrahje të vazhdueshme strategjike rreth plotësimit me kuadër dhe kushte të nevojshme për mbarëvajtje të procesit arsimor të Fakultetit të Mjekësisë pranë USHT-së.

Në mbledhjen që u mbajt në sallën e Rektoratit ku u diskutua rreth plan-programeve të Fakultetit të Mjekësisë dhe bashkëpunimit mes këtyre dy Universiteteve, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti falënderoi Rektorin dhe Prorektorin e Universitetit Medicinal të Gracit për përkrahjen dhe ndihmën që po ofron si dhe njoftoi Rektorin e Universitetit Medicinal rreth përgatitjeve për themelimin e Fakultetit të Mjekësisë dhe Qendrës Klinike Universitare.

Rektori i Universitetit Medicinal të Gracit, prof. dr. Gerhard Franz Walter informoi mbi strukturën organizative të Universitetit të Gracit, mbi organizimin e procesit mësimor përmes moduleve, ku secili modul zgjat 5 javë dhe brenda një semestri janë gjithsejtë 5 module që përfshijnë disa lëndë të varura mes vete të integruara në një modul të vetëm. Një modul i vetëm përfshin ligjëratat, pjesën praktike dhe seminaret.

Gjithsej, gjatë studimeve janë 25 module obligative dhe 5 module zgjedhore që i përkasin fushës së specializimeve varësisht se ku orientohet studenti, respektivisht mjeku i ardhshëm, dhe për vitin e 6-të janë paraparë pjesë të praktikës klinike me 10 javë hulumtime, 10 javë praktikë mjekësore, 10 javë praktikë e përgjithshme etj.

Gjithashtu informoi edhe rreth programeve të magjistraturës dhe doktoraturës, të cilat gjithashtu bazohen në strukturim orientuar drejt temave e jo si në sistemin klasik të orientuara drejt disiplinave.

Më pas Rektori i Universitetit të Gracit, prof. dr. Gerhard Franz Walter mbajti një ligjëratë para studentëve të Infermierisë rreth historisë, organizimit dhe funksionimit të Universitetit Medicinal të Gracit ku informoi studentët rreth programeve që ofron ky Universitet, rreth programeve të shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve etj.

Të pranishëm në ligjëratë ishin edhe Rektori i USHT-së dhe Prorektorët. Në fund u mbajt edhe një konferencë për gazetarët, ku prof. dr. Walter dhe prof. dr. Agim Vela i informuan gazetarët rreth qëllimit të vizitës dhe rreth temave që u trajtuan.

Më tutje, delegacioni vazhdoi për në Qendrën Medicinale të Tetovës ku u takua me drejtorinë e këtij institucioni. Universiteti i Gracit në Austri u themelua më vitin 1585 dhe është një nga Universitetet më të vjetra në Evropën Qendrore. Studimet nga fusha e mjekësisë kanë startuar në vitin 1863 kur edhe u themelua Fakulteti i mjekësisë, në vitin 1912 është hapur spitali i Universitetit, që në atë kohë ishte më i madhi dhe më moderni në Evropë ndërsa në vitin 2004 është themeluar Universiteti Medicinal në Grac.

Ky Universitet brenda ombrellës së vet përmban 14 institute, 23 departamente klinike me 45 divizione si dhe 6 departamente për operacione, me 760 profesor dhe shkencëtarë të rregullt të angazhuar, dhe 130 të tjerë si bashkëpunëtorë.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.