6

Konferencë shkencore me rastin e 95 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar

Në vazhdën e manifestimeve të “Javës kulturore”, me rastin e 95 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, në Universitetin Shtetëror të Tetovës është organizuar Konferencë shkencore. Konferencën e ka hapur Rektori i USHT-së prof. dr. Sadi Bexheti, ndërsa fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti.

Rektori i USHT-së, dr. Sadi Bexheti tha se ky aktivitet që po zhvillohet është pjesë e aktiviteteve të shumta të organizuara për këtë vit që kanë pasur mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Kulturës, për shënimin e festave tona kombëtare , të ditës së Alfabetit shqip dhe ditës së Pavarësisë. USHT sipas kreut të saj është shtylla kryesore që ka marrë përsipër organizimin e këtyre përvjetorëve të rëndësishëm ,duke përfshirë edhe këtë organizim të kësaj akademie e cila përfundon nesër në mbrëmje në një akademi solemne për shënimin e 95 vjetorit të pavarësisë.

“Universiteti ynë këtë përvjetor e pret me rezultate të shumta në punën dhe aktivitetin e tij , me fakultete dhe dhjetëra programe të reja studimore të akredituara , me kompletimin e infrastrukturës universitare , me inkuadrimin e Universitetit në proceset e reja arsimore për mësim kualitativ , në nivel evropian sic është procesi i Bolonjës dhe Sistemi Evropian i Transferit të Kredive etj” tha Rektori Bexheti. Ai konfirmoi se me mbështetjen e dy ministrive të lartpërmendura dhe në përgjithësi të Qeverisë së RM-së shpresojmë se do t’i realizojmë me sukses projektet tjera të parapara sipas planit afatshkurtër dhe afatgjatë për zhvillimin e USHT-së.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti ka folur për rëndësinë që ka shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar para 95 vitesh, duke vënë theks të vecantë në vazhdimësinë e rrjedhës historike deri në ditët e sodit. “Paraardhësit tanë i përballuan sfidat e asaj kohe, ata u organizuan dhe shpallën pavarësinë , ndërsa ne sot kemi sfida të tjera dhe jo rastësisht festa të tilla, akademi shkencore dhe përvjetorë, i organizojmë nëpër institucione, hapim institucione tjera për shkak se sfidat e kohës tanimë janë të tjera” deklaroi Ministri Rushiti.
Sipas tij, koncepti i lirisë nuk është vetëm më koncepti i lirisë fizike por është koncepti i lirisë së bazuar në dije. Rushiti duke dëshiruar punë të suksesshme konferencës shkencore, ka paralajmëruar mbështetjen e ministrisë që udhëheq ai edhe për shumë organizime dhe manifestime të ndryshme. Në ditën e parë të kësaj konference shkencore me kumtesa kanë marrë pjesë studiues dhe historian nga vendi dhe nga jashtë. Me punimet e tyre janë prezantuar studiuesit, Uran Butka, Fejzullah Shabani, Xheladin Shala, Luljeta Isaku, Daut Bislimi, Reshat Nexhipi, Vebi Xhemaili dhe studiues tjerë. Konferenca shkencore vazhdon me punimet edhe të martën (27 nëntor). Kumtesat e prezantuara do të botohen në buletin të vecantë shkencor.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.