6

Akademi solemne me rastin e 95 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar

Universiteti Shtetëror i Tetovës organizoi Akademi Solemne me rastin e 95 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar në Qendrën për Kulturë-Tetovë. Akademia solemne u mbështet edhe nga Ministria e arsimit dhe shkencës dhe Ministria e Kulturës, bashkë me gjithë aktivitetet tjera të përbashkëta gjatë muajit nëntor me rastin e festave shqiptare.

Fjalë përshëndetëse me këtë rast mbanë Rektori i USHT-së, prof.dr. Sadi Bexheti, Ministri i arsimit dhe shkencës, z. Sulejman Rushiti dhe Ministri i kulturës, z. Arifikmet Xhemaili. Referat kushtuar 95 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar lexoi dr. Fejzulla Shabani, anëtar i këshillit organizativ të të gjitha manifestimeve gjatë “javës së kulturës”.

Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti në fjalën përshëndetëse mes tjerash tha: “Festimi i 28 Nëntorit ndër shqiptarët e Maqedonisë, këtë vit, do të festohet më denjësisht se kurrë, si rezultat i mirëkuptimit të Qeverisë aktuale dhe partnerëve të saj, si shkallë e lartë e besimit dhe përgjegjësisë ndaj traditave tona të mrekullueshme, që popujt tanë kanë ditur t’i kultivojnë ndër shekuj në festa të përbashkëta.

Ju dëshiroj që kjo festë, mes nesh të nxit dashurinë, solidaritetin dhe bashkëpunimin vëllazëror, pa dallim përkatësie, besimi fetar dhe bindje tjetër. Të zgjojë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të respektit të ndërsjellë mes nesh. Vetëm kështu mund të krijojmë vlera të larta dhe të kontribuojmë për një të ardhme më të lumtur dhe të begatshme”.

Fjalë përshëndetëse kishin edhe Ministri i arsimit dhe shkencës dhe Ministri i kulturës. Në Akademinë solemne ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të Qeverisë, përfaqësues të partive politike, të bashkësive fetare etj.

Programi ishte i shoqëruar nga kori i Fakultetit të arteve-USHT, me këngë korale me dirigjent Agon Xhemaili, pjesë instrumentale-koncert për violë dhe piano nga Yllaza Baftjari, “Atdheu im”, sopran Besarta Murtezani, klasa e prof. Ahmet Durguti nga Pjetër Gacit, Elexhi për Luigj Gurakuqin – mezzosoprano Besiana Mehmedi, Adagio nga Rexho Mullici – ekzekutuar nga Blerim Grubi dhe Ariana Grubi. Studentët e programit studimor gjuhë dhe letërsi shqipe të Fakultetit Filologjik pranë USHT-së kishin recital letrar.

 

Zyra për informim dhe udhëheqësia e USHT-së ua uron festën.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.