6

Debati universitar: Rektori me studentët

Debati i dytë për këtë vit, në ciklin e dytë të debateve organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Radio Televizioni i Maqedonisë-programi në gjuhën shqipe, u rezervua për temën: “Universiteti Shtetëror i Tetovës, të arriturat, sfidat, planet, strategjia” mes Rektorit të USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti në panel dhe studentëve.

Rektori Bexheti informoi mbi zhvillimet në Universitet gjatë vitit të kaluar dhe për planet në periudhën e ardhshme. Rektori informoi mbi akreditimin e 10 fakulteteve me 29 programe studimore dhe me 85 drejtime, nga 4 ekzistuesit që ishin më parë. “Kemi filluar me entuziazëm të madh qysh nga dita e parë kur kemi marrë përsipër udhëheqësinë, bashkë me bashkëpunëtorët e pedagogët tanë dhe ky entuziazëm është gjithnjë e në rritje” u shpreh Rektori.

Gjithashtu informoi mbi gjendjen aktuale të hapësirave që disponon Universiteti dhe me pengesat që janë trashëguar lidhur me këtë cështje. “Një vit të plotë kemi punuar në këtë drejtim dhe kemi arritur të zgjidhim cështjen pronësoro-juridike të hapësirave, Ministria e arsimit dhe shkencës na siguroi objektin në Gostivar për Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, së shpejti do të transferohet Fakulteti Filologjik në objektet e ish Universitetit të punëtorëve, cështja e cila tanimë është zgjidhur.

Në planin strategjik, me ndihmën e Qeverisë dhe përmes partneritetit publik-privat do të ndërtojmë kampusin universitar me qendër për studentë, me konvikt për studentë, mensë të studentëve, do të përfundohet objekti për fakultetin juridik dhe ekonomik, do të ndërtohet laboratori i bioteknologjisë, objekt i ri për fushat teknike me pajisje, salla e sporteve dhe objekte tjera ndihmëse për shërbime të studentëve”-u përgjigj Rektori i USHT-së në pyetjet rreth hapësirave. Në pyetjet se sa janë të rëndësishme marrëveshjet e bashkëpunimit me institucione tjera të larta arsimore, Rektori u përgjigj: ”Unioni evropian, jo rastësisht ka vendosur kritere për aplikim si domosdoshmëria që 3 e më shumë Universitete të konkurrojnë në projekte dhe në fonde të UE-së. Kjo imponon Universitetet të bashkëpunojnë mes veti, në drejtim të unifikimit ose përafrimit të kurrikulumeve, për të mundësuar pos projekteve të përbashkëta, edhe transferin më të lehtë të stafit akademik si dhe të studentëve, njëkohësisht duke i mundësuar studentëve mobilitet dhe mundësi të zgjedhjes së institucionit ku ai vetë konkludon së është më kualitativ.” Rreth studimeve pasdiplomike, Rektori njoftoi studentët se janë bërë përgatitjet dhe është në procedurë akreditimi i studimeve master.

“Ne qëllimisht kemi vonuar fillimin e studimeve master, për të qenë më korrekt ndaj studentëve që studiojnë sipas Programit të Bolonjës dhe duke iu shmangur studimeve klasike të magjistraturës. Kësisoj tani studentët me programe 3 vjecare do të vazhdojnë studimet master me 2 vite, dhe ata nga programet 4 vjecare do të vazhdojnë me 1 vit shtesë studime master, në fusha të specializuara, kompatibile me kërkesat e vendit, regjionit e Evropës. Gjatë debatit u prekën edhe temat e stafit ligjërues, avancimit të profesorëve, diplomat etj.

Rreth cështjes së titujve shkencor, Rektori u shpreh se është bërë padrejtësi për disa profesorë, për të cilët nuk u njihet titulli profesor, por u shpreh se është optimist se shumë shpejt kjo cështje do të zgjidhet. Në lidhje me diplomat, Rektori u shpreh se diplomat tashmë kanë filluar të përgatiten dhe gjatë muajit të ardhshëm ato do të ndahen. “Janë bërë malverzime më parë dhe kjo situatë na ka obliguar të merremi pandërprerë me këtë cështje, për t'iu shmangur keqpërdorimeve.

Diplomat e reja janë të mbrojtura me sistem kodimi, për diplomat tjera që tashmë janë dhënë, do të shpallet në web faqen e Universiteti lista e atyre që realisht kanë arritur të diplomojnë dhe për të cilët komisionet për verifikim kanë vërtetuar rregullsi”. Në debat, pos studentëve, të pranishëm ishin edhe dekanët e Fakulteteve dhe profesorë.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.