Lajme:

 

U inaugurua godina e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Gostivar

 

Universiteti Shtetëror i Tetovës, sot shënoi një nga të arriturat më të mëdha që nga zyrtarizmi i tij në vitin 2004.

 

 

Në prani të një numri të madh të arsimdashësve, përfaqësuesve politikë, korit diplomatik, si dhe stafit akademik të universitetit, në Gostivar u inaugurua ndërtesa e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, i cili që nga dita e sotme, aktivitetin e tij do ta zhvillojë në qytetin e Gostivarit.

 

 

Hapjen solemne, me prerjen e shiritit të kësaj godine e bëri Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka, Ministri i arsimit dhe shkencës, Nikolla Todorov, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere dhe Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

 

 

Rektori i Universitetit, Prof. dr. Agron Reka, para të pranishmëve, i përgëzoi të gjithë ata që u angazhuan për realizimin e këtij projekti, siç tha ai, madhor në interes të arsimit sipëror në gjuhën shqipe. Në mënyrë të veçantë ai e falënderoi Ambasadorin e Bashkimit Evropian, Ervan Fuere, i cili ka dhënë një kontribut shumë të çmueshëm për avancimin e proceseve demokratike në vendin tonë dhe për integrimin e Republikës së Maqedonisë në strukturat Euroatlantike.

 

 

“Ky objekt i ngritur me shumë mund dhe sakrifica, në hapësirat e tij përfshin një sipërfaqe prej 3250 m2 dhe disponon me 5 salla mësimi, bibliotekë, 2 laboratorë, 20 kabinete për nevojat e stafit akademik dhe zyra të tjera për nevojat e administratës së Fakultetit.

 

Ministri i arsimit dhe shkencës i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Todorov, në fjalën e tij përshëndetëse u përqendrua në resurset njerëzore, duke shtuar se “Maqedonia nuk ka burime të naftës, xeherore të diamanteve e shumëçka tjetër, por ne kemi potencialin e dijes”. Ministri Todorov, me këtë rast i këshilloi studentët që të mësojnë, të jenë aktivë, të marrin dije me meritë e të konkurrojmë në familjen e madhe akademike evropiane.

 

 

Ambasadori Ervan Fuere, në fjalën e tij përshëndetëse u përqendrua në perspektivën evropiane të Maqedonisë, me theks të veçantë të profilit shkencor, me çka studentëve të këtij fakulteti ju uroi suksese, në mënyrë që të jenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë.

 

 

Të pranishmit në këtë solemnitet i përshëndeti edhe Kryetari i Parlamentit të Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani, i cili tha se përurimi i godinës së re të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në qytetin e Gostivarit gjithnjë e më tepër lehtëson shkollimin e gjeneratave te reja dhe përgatit brezat e rinj për sfidat e së ardhmes. Suksesi i radhës që po shënojmë sot, plotëson kërkesat, apo thënë më mirë, dëshirat e studentëve për t’i ndjekur studimet në kushte bashkëkohore.

 

 

Të pranishmit në këtë solemnitet i përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Trakisë, nga Republika Turqisë, Prof. dr. Enver Duran, i cili me këtë rast u shpreh i gatshëm që ta ndihmojë në të gjitha mënyrat Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të USHT-së.

 

 

Në shenjë respekti për ndihmën dhe përkrahjen e deritashme që i kanë dhënë USHT-së, Rektori, Prof. dr. Agron Reka, mirënjohje u ndau, Kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, Ministrit dhe Zëvendësministres së arsimit dhe shkencës, Nikolla Todorov dhe Lindita Qazimi, si dhe Rektorit të Universitetit të Trakisë, Prof. dr. Enver Duran.

 


Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit aktualisht ka dy Programe studimore, edhe atë: Teknologjia ushqimore dhe Të ushqyerit, ndërsa së shpejti pritet të akreditohet edhe programi i ri studimor i bujqësisë.

 

 

Në kuadër të Fakultetit do të ndërtohen edhe  laboratorë bashkëkohorë për analizën e ushqimeve, i cili do të bëhet laborator referent, me synim të bëhet një qendër e rëndësishme për analizën e produkteve të ndryshme ushqimore.

 

 

Ky fakultet nxjerr kuadro të kualifikuara për prodhimin  e produkteve ushqimeve dhe për kontrollin e tyre në bazë të standardeve më bashkëkohore.  

Vlen të përmendet se Ambasadori i BE-së, në përmbyllje të këtij aktiviteti, në fakultetin e USHT-së në Gostivar zhvilloi takim pune me Rektorin, prof. dr. Agron Reka, Prorektorin për mësim, prof. dr. Ismail Ahmedi dhe përgjegjësin e Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare, Shefik Shehu.

 

Në këtë takim të përbashkët u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në mes USHT-së dhe Institucioneve të Bashkimit Evropian, me qëllim të harmonizimit të programeve studimore. Për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë USHT-së, Rektori, prof. dr. Agron Reka, Ambasadorit Ervan Fuere i dhuroi një pikturë punuar nga piktori Nevzat Kica, mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të USHT-së.

 

 

Zyra për Informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044-356-500, lokal 542

 


 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000