Lajme:

 

USHT u kundërpërgjigjet akuzave të PDSH-së: “Përçarjet, intrigat dhe shpifjet nuk janë pjesë e as virtyt i Universitetit” 

 

Universiteti Shtetëror i Tetovës hedh poshtë të pavërtetat dhe shpifjet e Partisë Demokratike Shqiptare, e cila mundohet që me press konferenca dhe akuza të vazhdueshme t’i mbulojë krimet financiare që kanë bërë kuadrot e saj, të instaluar dhunshëm në USHT. E ndjejmë për obligim ta informojmë opinionin e gjerë se Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, në postin e tij është zgjedhur në pajtim me rregullat e parapara ligjore dhe juridike. Sulmet, akuzat dhe shpifjet, që i bën kjo parti, bëhen për të vetmin qellim, që ta manipulojnë opinionin, ta largojnë vëmendjen e popullatës prej realitetit dhe krimit institucional që instaloi kjo parti gjatë qeverisjes së saj, deri tek uzurpimi i Universitetit, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp, Përgjegjësi i Zyrës për Informim, Selam Sulejmani.

 


Sulejmani, me këtë rast i bëri me dije PDSH-së, se falsifikimi i titujve shkencorë, abuzimi me buxhetin e Universitetit, dhënia e diplomave false, politizimi i USHT-së nëpërmjet të ashtuquajturave “debate politike” të kësaj të ashtuquajturës parti, si dhe banditizmi ndaj këtij tempulli të diturisë, ka marrë fund me ardhjen në krye të këtij institucioni, të prof. dr. Agron Rekës. “Universiteti Shtetëror i Tetovës, jo vetëm që nuk e ka ndërmend të hap debat me PDSH-në, e cila mundohet të manipulojë me ish-ushtruesin e detyrës Rektor, Agim Vela, më pas me Fadil Sulejmanin, por në prioritet të drejtuesve të USHT-së qëndrojnë investimet kapitale, pastaj rregullshmëria në procesin mësimor-shkencor dhe depolitizimi i plotë i këtij tempulli të diturisë”, theksoi më tej Përgjegjësi i Zyrës për Informim të USHT-së, duke shtuar se një parti (lexo klub) e (i) caktuar politike nuk mund të kontestojë punën institucionale të Senatit të Universitetit, i cili më 29.12.2009 zbatoi nenin 125, pika 4 dhe nenin 136, pika 1 dhe 2, të Ligjit për arsimin e lartë dhe mendimin e Komisionit profesional, të përbërë nga ekspertë të njohur të fushës shkencore (Recensioni nr.02-6369/1, i datës 07.12.2009), me çka Agron Rekës i jep thirrjen mësimore-shkencore profesor ordinar.

 


Po ky organ, më konkretisht Senati i Universitetit, më 21 janar të këtij viti, me votim të fshehtë, për Rektor të USHT-së, me mandat katërvjeçar, për Rektor të USHT-së e zgjodhi prof. dr. Agron Rekën, duke zbatuar nenin 52 dhe 53 të Ligjit për arsimin e lartë, si dhe nenet 112, 113, 114, 115, 116, 117, 118, 119 dhe 120, të Statutit të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Siç e din mbarë opinioni, Rektori, prof. dr. Agron Reka, nga buxheti i USHT-së ndau 3 milionë euro për ndërtimin e godinës së re të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Po kjo udhëheqësi e USHT-së, zbriti tarifat e studimeve për 64 për qind, për 24 lloje pagesash, me qëllim të lehtësimit të buxhetit të familjeve, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare të studentëve. Ndryshimet në këtë institucion ende vazhdojnë dhe nuk do të kufizohen vetëm me kaq.
Për ngritjen e cilësisë së studimeve në USHT, më kompetent janë studentët tanë, të cilëve në vazhdimësi u ngrihet niveli i studimeve dhe lehtësimi i buxhetit të familjeve të tyre. Për sa i përket partisë së lartpërmendur, po të kishte një pikë ndenje shqiptare (emër me të cilin identifikohet) gjithsesi që së pari do të merrnin pjesë në debatet që i organizon USHT, në lidhje me avancimin e çështjes shqiptare.
Edhe pse nuk është në natyrën e Universiteteve, dëshirojmë ta informojmë mbarë opinionin për procedurën penale që është ngritur nga institucionet kompetente të shtetit ndaj ish-udhëheqjes së USHT-së, përfshirë këtu ish Rektorin, ish Sekretarin e përgjithshëm dhe udhëheqësit e shërbimit financiar, janë dëshmi për cenimin e imazhit të këtij institucionit të lartë arsimor, Ndërsa spekulimet ndaj organeve të tanishme, Rektorit dhe drejtuesve të tjerë të Universitetit, janë tendencioze, shpifje dhe të pavërteta.
Universiteti Shtetëror i Tetovës, është pjesë e popullit shqiptar dhe si i tillë do të mbetet për gjeneratat e ardhshme. Universiteti është institucion i lartë mësimor dhe shkencor që me krenari e kryen veprimtarinë mësimore-shkencore dhe misionin e tij.
Përçarjet, intrigat dhe shpifjet nuk janë pjesë e as virtyt i Universitetit, theksoi në Konferencën e sotme për shtyp, Përgjegjësi i Zyrës për Informim  të USHT-së, Selam Sulejmani, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë akuzave të disa ditëve më parë të PDSH-së, ndaj strukturave udhëheqëse të USHT-së. 

Zyra për informim e USHT-së

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000