Lajme:

 

Intervistë e koordinatorit të Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë - QeSHK, për revistën Studenti

 

Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë ka për qëllim integrimin e studentëve në tregun e lirë të punës, përgatitjen e tyre profesionale, informimin e tyre rreth shpalljes së bursave, sigurimin e punës praktike, organizimin e tribunave studentore, afirmimin e vlera universitare jashtë ambienteve të USHT-së.

Revista “STUDENTI”: Cili është roli dhe funksionimi i Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës?

Daut MEMETI: Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë është themeluar në tetor të vitit 2008, për t’i ndihmuar studentët që të kenë një jetë begatshme akademike dhe një karrierë të suksesshme pas diplomimit. Misioni i Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë është t’iu ofrojë studentëve të USHT-së mundësi reale për zhvillim personal dhe profesional përmes informimit, këshillimit dhe udhëzimit.

 

 

Revista “STUDENTI”: Aktiviteti i lloj-llojshwm i QeSHK-ut na bën të mendojmë se kjo qendër është e ndarë në sektorë të ndryshëm, a mund të na krijoni një organogram verbal të qendrës që ju drejtoni?

Daut MEMETI: Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë veprimtarinë e saj e realizon nëpërmjet tre departamenteve: 1) departamenti për këshilla akademike; 2) departamenti për këshilla profesionale ; 3) departamenti për aktivitete dhe evenimente studentore. Varësisht nevojës apo kërkesës së studentëve, në kuadër të QeSHK-ut themelohen edhe programe të posaçme, siç mund të përmendim programet aktuale për “observim të vendeve të lira të punës”, “informim për shkollat verore”, “intervistat e simuluara me studentë”, “themelimi i klubeve studentore”, “ndihma financiare për studentë në nevojë”, “grupi i vullnetarëve/bashkëpunëtorëve” etj. Për çdo departament caktohet nga një përgjegjës, ndërsa edhe për programet e posaçme caktohet përgjegjës, qoftë nga stafi i qendrës sonë apo institucionet tjera relevante universitare.

 

 

Revista “STUDENTI”: Risi apo trend i kohës së fundit në USHT është edhe themelimi dhe funksionimi i klubeve studentore, na thoni diç më tepër për këto nisma?

Daut MEMETI: Me qëllim të ngritjes së vetëdijes studentore dhe zgjerimit të horizonteve të reja në përfitimin e një kulture dhe vetëdije institucionale, në kuadër të fakulteteve të USHT-së, me iniciativë të drejtpërdrejt të QeSHK-ut, janë themeluar dy klube studentore, edhe atë Klubi Studentor “Juristët e rinj”, në kuadër të Fakultetit Juridik dhe Klubi Studentor “Ekonomisti” në kuadër të Fakultetit Ekonomik. Ky ritëm i themelimit të klubeve studentore pritet të vazhdoj edhe në semestrin veror, ku më veç tjerash janë zyrtarizuar nismat për themelimin e klubit të “përkthyesve” në kuadër të programit studimor - Gjuhë Angleze, klubit studentor “Zhan Mone” dedikuar Bashkimit Evropian dhe klubit të “gazetarisë”. Synimi final i qendrës sonë është që për çdo fakultet që funksionon në kuadër të USHT-së të themelojmë nga një klub studentor, ku studentët në mënyrë joformale do të aftësohet rreth proceseve akademiko-shkencore.

Revista “STUDENTI”:  Në USHT për herë të parë u organizua edhe “PANAIRI I PUNËS - 2010”, ç’na thoni më shumë për këtë aktivitet që morri jehonë ndërkombëtare?

Daut MEMETI: Për herë të parë në USHT nën organizim të Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë është mbajtur “PANAIRI I PUNËS” ose i njohur si “JOB FAIR”. Me këtë rast, kompani amerikane me renome kanë intervistuar studentët e USHT-së, të cilëve ju është dhënë mundësia reale e punës dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  përgjatë kohës së pushimit veror. E veçanta e këtij panairi të organizuar në USHT, ka qenë ajo se në të patën mundësi të konkurrojnë edhe studentë të universiteteve tjera të vendit dhe të rajonit, të cilët edhe ishin pjesëmarrës në këtë panair, që njëherësh morri edhe epitetin e një panairi ndërkombëtar të punës për studentë.

Revista “STUDENTI”:  Z. Memeti, a mund të bëni një përmbledhje të shkurtër të aktiviteteve tuaja të semestrit të kaluar dimëror?

Daut MEMETI: Semestri i kaluar dimëror ka qenë i përmbushur me aktivitete nga më të ndryshmet, ku vlejnë të theksohen: bashkëpunimi me Këndin Amerikan - Tetovë; vizita e qendrës sonë nga atasheu për kulturë edhe arsim i ambasadës së SHBA-ve në Shkup, John Surface; themelimi i buletinit informativ “QeSHK info”; organizimi i trajnimeve të studentëve për karrierë të suksesshme; pjesëmarrja në panairin e parë elektronik të karrierës në Evropën Juglindore; pjesëmarrje në realizimin e programit nacional për punë praktike dhe punësim të financuar nga USAID; bashkëpunimi me Aleancën Franceze - Tetovë; organizimi i paneleve të ndryshme të diskutimit; organizimi i tribunave në kooperim me klubet studentore; rrjetëzimi dhe partneriteti me qendrat e karrierës të universiteteve të vendit dhe rajonit; jehona e lartë mediale e aktiviteteve tona për sensibilizimin e studentëve etj.

Revista “STUDENTI”: Shihet qartë se keni pasur një semestër të ngarkuar dhe të stërmbushur me aktivitete, po për semestrin veror çfarë planifikoni?

Daut MEMETI: Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë edhe në semestrin veror do të jetë edhe më aktuale te studentët, duke ofruar programe dhe aktivitete nga më të ndryshme për studentët e USHT-së. Ndër evenimentet që pritet të karakterizojnë këtë semestër veror janë: organizimi i panairit të karrierës, sigurimi i punës praktike për studentët absolventë, themelimi i asociacionit për studentët e diplomuar “ALUMNI”, integrimi në programet studimore i një lënde universitare për zhvillim të karrierës, themelimi i një ueb-faqe dedikuar krejtësisht QeSHK-ut, organizimi i garave për ese më të mira studentore etj.

Revista “STUDENTI”: Për fund, cili është mesazhi juaj që do të drejtoni te studentët e USHT-së nëpërmjet faqeve të revistës së tyre të preferuar “STUDENTI”?

Daut MEMETI: Në cilësinë e koordinatorit të Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë, studentëve të USHT-së ju uroj sukses në semestrin e ri veror dhe arritje të qëllimeve të tyre akademiko-profesionale. Shfrytëzoj rastin që publikisht t’i ftoj ato të vizitojnë QeSHK-un, sepse meritojnë të informohen të parët, ngaqë edhe motoja jonë është: “INFORMOHU I PARI...”

 

 

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000