
Lajme:
Në USHT, katër kandidatë mbrojtën temën e masterit
Universiteti Shtetëror i Tetovës, në vazhdën e aktiviteteve për ngritjen e cilësisë së studimeve dhe punës akademike, në mesin e përcaktimeve të veta e ka edhe ngritjen profesionale dhe shkencore të stafit akademik dhe të diplomuarve.
Në këtë drejtim, është edhe aktiviteti i organizuar më 3 mars 2010, nga ana e Fakultetit Juridik të USHT-së, për mbrojtjen publike të temave të masterit. Para komisionit në përbërje: prof. dr. Osman Kadriu – mentor, prof. dr. Nerxhivane Dauti – kryetare dhe prof. dr. Altin Shegani – anëtar, kandidati Arbër Ademi e mbrojti me sukses temën e masterit: “Rregullimi normativ i kontratës për dhuratën, si lloj i kontratave bamirëse”.
Komisioni për vlerësim, duke e çmuar punimin e kandidatit Arbër Ademi, theksoi se ky paraqet interes të veçantë teorik dhe praktik, pasi që puna hulumtuese është e drejtuar, jo vetëm në trajtimin normativ të kontratës për dhuratën, por edhe në trajtimin shkencor, si dhe rëndësinë e saj praktike, si lloj i veçantë i kontratave, të cilat paraqesin një prej bazave juridike për fitimin e së drejtës së pronësisë.
Para komisionit me përbërje të njëjtë: prof. dr. Osman Kadriu – mentor, prof. dr.Nerxhivane Dauti – kryetare dhe prof.dr. Altin Shegani – anëtar, edhe kandidati Sulejman Ahmedi, e mbrojti temën e masterit me titull: “Rregullimi pozitiv dhe institucional i mbrojtjes së punëtorit në punë”. Pas elaborimit të punimit, nga ana e kandidatit Sulejman Ahmedi, komisioni i lartpërmendur, punimin dhe prezantimin e kandidatit e vlerësoi me notë maksimale, duke theksuar se kandidati Sulejman Ahmedi “elaboron problematikën e lëndës, që ndodhet në korniza konstitucionale, si dhe gjetjen e zgjidhjes së drejtë të çështjes.
Kompleksiteti dhe nevoja e zgjidhjes së problematikës shoqërohet me studime adekuate në këtë plan, qasjeve krahasuese, ku gjithmonë e më tepër është e nevojshme një metodologji e posaçme e hulumtimeve shkencore, me përdorimin e metodologjisë së veçantë juridike, politike, etj”. Sipas komisionit, i gjithë hulumtimi është bërë nga aspekti i të drejtave të njeriut, në veçanti të punëtorit dhe demokracisë pluraliste, me qëllim të konsolidimit të sistemit juridik dhe politik, si dhe përforcimit të kornizës ligjore për mbrojtjen e punëtorëve në punë.
Të njëjtën ditë, temën e masterit e mbrojti edhe kandidatja Jetmire Zeqiri. Ajo, para komisionit në përbërje: prof. dr. Ejup Sahiti – mentor, prof. dr. Altin Shegani dhe prof. dr. Muhamet Racaj, e mbrojti temën: “Organizimi i pushtetit gjyqësor, me vështrim të posaçëm të gjyqësisë penale në Republikën e Maqedonisë”.
Edhe një kuadër i USHT-së, kohë më parë e fitoi titullin master. Bëhet fjalë për Harun Ismailin, nga Fakulteti i Kulturës Fizike, i cili punimin e masterit e mbrojti në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, të Universitetit të Tuzllës, në Republikën e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Ai para komisionit në përbërje: Prof. dr. Vlatko Separoviç – kryetar, Prof. dr. Kapidzic Allen dhe Prof. dr. Amra Nožinović-Mujanovic – anëtar, e mbrojti temën e masterit: "Efektet transformues bazike-motorike dhe situacionale-motorike tek aftësitë e lojtarëve të futbollit të moshës 12-14 vjeçare”. Punimi i kandidatit Harun Ismaili u vlerësua lartë nga komisioni, me çka ai e fitoi titullin shkencor, Master. Zyra për informim - USHT
|








PROGRAMI ERASMUS 