6

Procesi i Bolonjës hap perspektiva evropiane të dijes

Aplikimi i procesit të Bolonjës ishte temë e “Debatit Universitar”, që u mbajt më 3 maj të këtij viti (të enjten mbrëma), në amfiteatrin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, në kuadër të ciklit të debateve që i organizon ky universitet, në bashkëpunim me Televizionin e Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe, që emetohet drejtpërdrejt në kanalin e dytë. Në këtë debat ishin ftuar prof. dr. Velesin Peculi, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), prof. dr. Velimir Stojkovski, prorektor i universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, prof. dr. Luan Ahma, prorektor i Universitetit të Prishtinës dhe prof. dr. Petrit Pollozhani, dekan i Fakultetit Ekonomik i USHT-së, ku ishin të pranishëm edhe profesorë të tjerë, studentë dhe maturantë të shkollave të Tetovës.

Ristrukturimi akademik pas viteve të 90-ta në Shqipëri solli një krizë evidente, ndërkohë që u gjet një fije shprese në procesin e Bolonjës, për t’u bërë pjesë e Evropës, tha prof. dr. Peculi, duke debatuar në këtë temë dhe duke prezantuar rrethanat në Shqipëri. Sipas tij, ideja themelore e kartës së Bolonjës është globalizimi i sistemit universitar. Ky proces kërkon kohë dhe mund të madh për t’u zbatuar, ndaj dhe është e pamundur që të ketë rezultate të mjaftueshme në këtë moment, porse ky orientim u mbetet gjeneratave të reja, theksoi ai. Sipas prorektorit të Universitetit të Shkupit, prof. dr. Velimir Stojkovski, procesi i Bolonjës është një lëndë e polemikave, ndonëse këtu tashmë ka filluar të zbatohet. Karta e Bolonjës është një dokument, të cilin e kanë nënshkruar shumë rektorë të universiteteve, që ka për qëllim aplikimin e ndryshimeve në fushën e përfitimit të dijes , sepse universitetet janë qendra të hulumtimeve për të përvetësuar njohuri të reja shkencore, që do ta lëvizin botën përpara. Është ky një proces në zhvillim, ndërkohë që në këtë sistem janë kycur universitetet e 46 shteteve, tha prorektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Luan Ahma.

Sipas tij, procesi i Bolonjës nuk duron improvizime, por kërkon një zbatim të përpiktë të kritereve të caktuara. Ky është një sistem efikas i evoluimit pozitiv të arsimit të lartë, ku edhe studentët duhet të jenë partnerë aktivë. Procesi do të ushtrojë një konkurrim lojal edhe ndaj Universitetit të Prishtinës. Është fakt se Bolonja siguron kushte për të hyrë në konkurrencën evropiane të dijes, por në anën tjetër e kemi Greqinë e cila është anëtare e BE-së dhe nuk dëshiron të dëgjojë për aplikimin e Bolonjës në universitetet e saj, vuri në dukje dr. Ahma. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë të USHT-së, prof. dr. Petrit Pollozhani foli për disa risi që po aplikohen në këtë fakultet, sidomos pas realizimit të një vizite që kishte bërë një delegacion i këtij universiteti në Angli, ku procesi i Bolonjës është në një shkallë të lartë.

Sipas tij, ndryshimet globale teknologjike në botë kërkojnë dituri të reja, që janë parakushte për zhvillim. Ai beson thellë se sistemi i Bolonjës do të japë rezultate edhe këtu, duke vënë në pah se të tre programet studimore të Fakultetit ekonomik të cilin e drejton mbështeten në kriteret e Deklaratës së Bolonjës. Në debat morën pjesë edhe doc. Senad Abduli nga Fakulteti i Arteve të USHT-së, prof. dr. Hamit Aliu nga Fakulteti Ekonomik, Kushtrim Ahmeti nga Unioni i Studentëve të USHT-së, ndërsa pyetje të shumta shtruan edhe studentët dhe nxënësit e pranishëm në këtë debat. Pyetjet e tyre kryesisht ishin me tone kritike dhe dëshpëruese, kur ishte fjala për aplikimin e procesit të Bolonjës.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.