Përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë në USHT
Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë (ASHB), ka vizituar Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ky delegacion i udhëhequr nga prof. dr. Dimitar Gocev dhe i shoqëruar nga ekselenca e tij, ambasadori i Bullgarisë në Shkup, Miho Mihov, të martën, është pritur nga Rektori i USHT-së, prof dr. Sadi Bexheti, prorektorët prof. dr. Agim Shabani dhe prof dr. Hamit Mehmeti dhe kryetari i senatit prof. dr. Lutfi Istrefi.
Temë e takimit ka qenë bashkëpunimi i USHT-së me institucionin më të lartë shkencor në Bullgari, ASHB-në. Rektori Bexheti, gjatë takimit ka bërë prezantim të USHT-së, duke vënë theks të vecantë në projektet që kanë për synim realizim në të ardhme. Ndër këto projekte, Rektori Bexheti ka potencuar zhvillimin dhe avancimin shkencor të ligjëruesve të USHT-së, pasurimin e fondit të literaturës në bibliotekën e USHT-së, si dhe projektet e përbashkëta të financuara nga Bashkimi Evropian, të cilat kanë karakter të bashkëpunimit regjional.
“Si universitet i ri që jemi, ne tentojmë që të përfitojmë nga përvojat institucioneve arsimore dhe shkencore më me traditë, si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Në interes të përbashkët do të ishte bashkëpunimi jonë me ASHB-në, prej ku përvec përvojës dhe shkencës, studiuesve tonë do t’u jepej mundësi për krijimin e hapësirave për realizime profesionale”, ka thënë gjatë takimit Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti. Ndërkaq nga ana e ASHB-së, ka folur prof. dr. Dimitar Gocev duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ASHB-së dhe USHT-së.
“Si historian di të them se shqiptarët dhe bullgarët kanë jetuar si fqinjë të mirë së bashku në të kaluarën, duke u ndihmuar edhe në ditët më të vështira gjatë robërimit osman. Ne sot jemi në një tryezë dhe si fqinj të mirë jemi të gatshëm të ndihmohemi në aspekt shkencor dhe arsimor” ka thënë Gocev.
|
WEB MAIL Sign in apo Regjistrohu


