Përgjegjësi i QeSHK-ut, mori pjesë në seminarin kundër korrupsionit në sektorin privat
Koordinatori i Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë (QeSHK), e USHT-së, Daut Memeti, ka marrë pjesë në seminarin njëditor, me temë: “Ndërmarrësia me përgjegjësi për të rinj -Krijimi i kulturës kundër korrupsionit në sektorin privat”.

Seminari u organizua nga Fondacioni PMC, ndërsa është përkrahur edhe nga Komisioni Evropian, ndërsa u organizua në hapësirat e UEJL-së, në Tetovë, ndërsa në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, siç janë: Drejtoria e Ardhurave Publike-Tetovë, Drejtoria e Doganave, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pronarë të bizneseve të vogla, përfaqësues të OJQ-ve dhe studentë.

Koordinatori i QeSHK-ut, para të pranishmëve, në fjalën e tij theksoi se, sa i përket korrupsionit dhe luftimit të tij, gjendja është paradoksale. “Për vite me radhë, retorika kundër korrupsionit u përdor me mjaft sukses, për ta sensibilizuar mbështetjen e publikut në lidhje me politikat reformuese. Tani kur opinioni po zhgënjehet gjithnjë e më shumë me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, forca mobilizuese e veprimtarive të antikorrupsionit është në zbritje të vazhdueshme”, theksoi Memeti. Ai, më tej, duke folur për korrupsionin në sektorin privat, tha: “Vazhdimisht jemi mësuar të dëgjojmë se sektori publik është më i korruptuari dhe se sektori privat është vetëm viktimë e këtyre proceseve. Por, harrojmë faktin se për të vallëzuar tango, detyrimisht duhen dy vetë, prandaj, kohën e fundit sektori privat shpesh paraqitet edhe si katalizatori kryesor i proceseve të ndërlidhura të korrupsionit, ndërsa dita ditës perceptimi qytetar ndaj këtij fenomeni po ndryshon”, theksoi në mes tjerash, në fjalën e tij, Koordinatori i Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë (QeSHK), Daut Memeti.
Zyra për informim -USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|