Studentët e Fakultetit Juridik organizuan seancë të improvizuar gjyqësore
Në kuadër të lëndës E drejta e procedurës civile, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Juridik të USHT-së, në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik, organizuan seancë të improvizuar gjyqësore, të cilën e ndoqën një numër mjaft i madh i studentëve të Fakultetit Juridik. Procedura gjyqësore ishte procedurë kontestimore, me objekt kontesti të shkurorëzimit të martesës. Procedura zhvillohet në Gjykatën themelore, me padi të iniciuar nga ana e bashkëshortes. Trupi gjykues, në përbërje të kryetari të trupit gjykues dhe dy gjyqtarëve porotë, ka caktuar seancë për shqyrtim kryesor të çështjes. Studentët e ushtronin funksionin e gjyqtarëve, palëve në kontest, dëshmitarëve dhe ekspertit për çështje martesore. Seancën e udhëhoqi Nora Osmani, studente e vitit të III në Fakultetit Juridik.

Seancën e hapi, Kryetari i trupit gjykues, që shpalosi njëherësh objektin e kontestit, më pas fjalën e mori ,,bashkëshortja”, e cila e kishte iniciuar procedurën e shkurorëzimit dhe më pas edhe i padituri, respektivisht ,,bashkëshorti”, i shprehu qëndrimet e tij. U zhvillua procedura e marrjes së provave, dëgjimit të dy dëshmitarëve, si dhe ekspertit juridik. Palëve në kontest ju dha edhe fjala përfundimtare. Trupi gjykues u tërhoq në seancë për këshillim dhe votim, solli aktgjykimin meritor dhe të njëjtin e kumtoi para të pranishmëve.

Dekani i Fakultetit Juridik, Mr. sc. Agim Nuhiu, i cili njëherësh është edhe ligjërues i lëndës E drejta e procedurës civile, theksoi se me këtë seancë dëshmohet se Fakulteti Juridik zhvillon aktivitete praktike me studentët. ,,Me anë të këtyre aktiviteteve studentët aftësohen që profesionalisht, me kompetencë dhe me dinjitet të zënë pozita dhe vende të merituara në tregun e punës”, theksoi Dekani i Fakultetit Juridik, Mr. sc. Agim Nuhiu.




Zyra për informim
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|