USHT organizoi sot debatin me temë: ,,Koncepti i ri strategjik i NATO-s”
Në USHT, sot u organizua debati me temë: “Koncepti i ri strategjik i NATO-s”, në të cilin morën pjesë Ministri i mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Arian Starova, ish zëvendësministri i mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë dhe deputet aktual në Kuvendin e RM-së, prof. dr. Nazmi Maliqi, njëherësh edhe profesori i shkencave politike, si dhe prof. dr. Bejtush Gashi, profesor i gjeopolitikës.

Debatin e lartpërmendur e shpalli të hapur këshilltari për bashkëpunim ndërkombëtar, i Rektorit të USHT-së, Dr. Bashkim Ziberi, i cili me këtë rast tha: “USHT, ka nderin të jetë nikoqir i këtij diskutimi, ku debatohet për përvjetorin e NATO-s dhe njëvjetorin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në këtë Aleancë të fuqishme. Uroj që edhe vendi ynë sa më shpejtë të bëhet pjesë e kësaj familje Veri-Atlantike.

Zëvendësministri i mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arian Starova, në fjalimin e tij para studentëve dhe pjesëmarrësve u shpreh se është i kënaqur që USHT e ka ftuar të merr pjesë në debatin ku flitet për Paktin NATO dhe integrimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë Aleancë. ,,Për mua dhe për miqtë e mi, USHT është gur i çmuar dhe një arritje e madhe e shqiptarëve që jetojnë në këto troje, në Republikën e Maqedonisë. Përpjekjet për të themeluar Universitetin e Tetovës, kontribuuan jashtëzakonisht edhe në demokratizimin e vetë Maqedonisë”. Sa i përket temës në fjalë, z. Arian Starova u shpreh se NATO, është organizata më e fuqishme e sigurisë dhe e mbrojtjes, mbi parimet e së cilës edhe është themeluar. “Në NATO integrohen ato shtete, në të cilat vlerat e përbashkëta bëjnë pjesë në konceptin e tyre. Po kështu edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, baras vlerësohet me këto vlera, si dhe baras vlerësohet edhe me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”, deklaroi Arian Starova, Zëvendësministër i mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë.

Talat Xhaferi, në këtë debat u përqendrua në fazën që i parapriu aktit të themelimit të NATO-s. Ai po ashtu e përmendi kapitullimin e Italisë, në vitin 1943, pastaj vitet 1944-45, Konferencën e Jaltës, e cila i përcaktoi konturat e krijimit të rendit të ri botëror, si dhe vitet 1945-49, periudhën kur Evropa, ky kontinent i vjetër e ngriti Planin Marshall për ndërtimin e Evropës së bashkuar.

Prof. dr. Bejtush Gashi, për konceptin e ri strategjik të NATO-s theksoi se, kjo organizatë ndër vite i ka përjetuar reformat e saj. NATO pretendon të jetë një Aleancë e transformuar, e gatshme për të marrë parasysh sfidat me të cilat sot përballet bota, dhe po ashtu pretendon krijimin e një partneriteti të palëkundur me shtetet trans atlantike. Koncepti i ri strategjik i NATO-s, bazën e tij e ka nga viti 1999, kur për herë të parë kjo Aleancë, më e vendosur se kurrë më parë, ndërhyri kundër represionit serb në Kosovë. Me rastin e ndërhyrjes së saj në Kosovë, NATO një herë e përgjithmonë veproi sipas koncepteve që edhe janë vendosur bazat e funksionimit të saj.

“Shqipëria ofron një liderizëm për çështjet e integrimit ndërshqiptar, sidomos për ata që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë”, tha në fillim të fjalës së tij, Prof. dr. Nazmi Maliqi, duke vazhduar se në rrethanat e Republikës së Maqedonisë, ka një konsensus për anëtarësimin e saj në NATO dhe ky vizion – motiv, po ngec në këtë aspekt. Maqedonia akoma përballet me këtë sfidë dhe kjo është bërë pengesë për zhvillimin ekonomik, shkencor e kulturor. NATO, pati rolin e saj edhe në vitin 2001 dhe pas tij kontribuoi në jetësimin e paqes në këtë vend.

Në konceptin e ri strategjik të NATO-s, përpos mbrojtjes dhe sigurisë, pritet që në të ardhmen NATO të zgjerojë rolin e saj edhe në mbrojtjen e ambientit jetësor, tha profesor Maliqi.
Zyra për informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|