Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u shënua 9 Maji, Dita e Evropës
Në përvjetorin e gjashtëdhjetë të Bashkimit Evropian, Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare që funksionon në kuadër të Fakultetit Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në amfiteatrin e Rektoratit organizoi sot një manifestim me rastin 9 Majit, Ditës së Evropës.

Prorektori për shkencë i USHT-së, doc. dr. Reshat Qahili, i cili e shpalli të hapur dhe mbajti fjalë rasti, duke theksuar se Evropa këtë fundjavë e shënon ditëlindjen e saj, 9 Majin, simbolin e Bashkimit Evropian. Kjo datë, bashkë me euron, flamurin dhe himnin, paraqesin identitetin politik të Evropës së re të bashkuar. Më 9 maj të këtij viti shënohet 60-vjetori i idesë së madhe, të projektuar nga Rubert Shuman, për një Evropë të bashkuar dhe të lirë. Më 9 Maj të vitit 1950, ministri i atëhershëm francez i punëve të jashtme, Robert Shuman e dha propozimin për krijimin e Evropës së organizuar, si opsion për ruajtjen e paqes në kontinentin e ndarë dhe të shkatërruar nga luftërat.

Propozimi, i njohur si ,,Deklarata e Shumanit” konsiderohet si fillim i formimit të asaj, që sot e njohim në realitet, si Bashkim Evropian.
Prorektori për shkencë, doc. dr. Reshat Qahili, në fjalimin e tij para studentëve dhe profesorëve të Universitetit u shpreh se pas 60 vjetësh ne e shohim të realizuar këtë ide, në një realitet politik, ekonomik e social që daton në fillimet e këtij shekulli, për të vijuar një Evropë të bashkuar, në të cilën shumë shpejt do të integrohen edhe shtete të tjera nga Ballkani Perëndimor, si: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Realizimi i kësaj ideje nuk ka qenë i lehtë. Doc. dr. Reshat Qahili, me këtë rast përmendi se idesë së Bashkimit Evropian, për një Evropë pa kufij, në një mënyrë mund të thuhet se i është bashkangjitur edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës. Në universitetin tonë, studiojnë të rinj, thuaja nga të gjitha vendet e rajonit, ndërsa në kuadër të Programit për mobilitet Erasmus, në disa universitete të vendeve të Bashkimit Evropian, tani më gjendet grupi i dytë i studentëve të universitetit tonë, të cilët atje do të kalojnë një semestër të studimeve. USHT-ja, po ashtu është nënshkruese edhe e Kartës së Bolonjës, pjesë e së cilës janë edhe pjesa dërmuese e universiteteve evropiane. Doc. dr. Rizvan Sulejmani, në fjalën e tij e përgëzoi organizatorin e këtij aktiviteti për shënimin e kësaj date të shënuar dhe para të pranishmëve foli për disa segmente, se cila është Evropa sot dhe ku shtrihen kufijtë e saj, këto kufij a janë gjeografik, fetar apo përbëjnë vlera të përbashkëta. Sot në BE përfshihen popuj dhe shtete me religjione të ndryshme, me të kaluar historike ndryshme të varfër dhe të pasur. Sa i takon inkuadrimit të Republikës së Maqedonisë në familjen evropiane z. Sulejmani tha se kjo sfidë duhet zgjidhur nga udhëheqësit e shtetit. Fajin kryesor për ngecjen e këtij procesi, ai e adresoi në politiken e jashtme, e cila akoma nuk e ka njohur esencën dhe metodat për arritjen e këtij synimi.

Mr. sc. Bujar Ahmedi, prodekan i Fakultetit Juridik dhe njëkohësisht drejtor i Institutit për marrëdhënie ndërkombëtare, para auditorit i paraqiti rezultatet e anketës në lidhje me Bashkimin Evropian, që është realizuar prej 18-13 prill të këtij viti. Në realizimin e anketës janë angazhuar studentët e Fakultetit Juridik dhe bashkëpunëtorë nga fakultete tjera të USHT-së. Mr. sc Bujar Ahmedi, po ashtu konfirmoi se anketa në fjalë është zhvilluar në disa qytete të vendit, të banuar kryesisht me shqiptarë, si: Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, etj.

Rezultatet e anketës, në lidhje me Bashkimin Evropian
Një ndër pyetjet kryesore që të anketuarit janë përgjigjur ishte: Kur mendoni se Republika e Maqedonisë do të behet anëtare e Bashkimit Evropian? 35.94 % nga të anketuarit janë përgjigjur se do të inkuadrohet deri në vitin 2014; 23.07 % janë përgjigjur se do të anëtarësohet pas vitit 2016; 20.10% deri në vitin 2016; ndërsa 20.10% janë shprehur me doza pesimiste, se nuk do të anëtarësohet asnjëherë dhe 0.79% nuk janë prononcuar fare për këtë çështje.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe doc. dr. Ylber Sela, nga UEJL-ja dhe doc. dr. Ymer Ismaili, Shef i Katedrës së gazetarisë në USHT, të cilët para studentëve i prezantuan pikëpamjet e tyre për rëndësinë e kësaj date.


Zyra për informim
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|