U realizua cikli i dytë i trajnimit të studentëve të FSHMN-së nga ana e PEP (PRIMARY EDUCATION PROJECT)
Përfundoi cikli i dytë i trajnimit të studentëve të vitit të katërt të drejtimit arsimor në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, i organizuar në kuadër të Projektit për arsim fillor, ose PEP (Primary Education Project) nga ana e USAID-it në Maqedoni . Projekti realizohet nga USAID, në bashkëpunim me AED dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë, si dhe Qendrës për Arsim Qytetar të Maqedonisë. Në kuadër të këtij projekti janë pesë komponenta, ku njëra nga ato është ,,Avancimi i matematikës dhe shkencave të tjera natyrore”, në të cilën trajnohen arsimtarët e shkollave fillore, për aplikimin e metodave të reja gjatë një ore mësimore, e cila pasohet edhe nga ndryshimet në planet operative për realizimin e një ore mësimore, ndryshim në planet tematike dhe ato globale. Kjo komponentë e projektit është shtrirë edhe në nivel të universiteteve, duke u trajnuar studentët e vitit të katërt, të cilët supozohet se vitin e ardhshëm do të konkurrojnë për vende pune në arsimin fillor. Ky trajnim u mundëson studentëve tanë të jenë një hap më përpara nga aspekti metodik, didaktik dhe praktik, se konkurruesit e tjerë për vende pune.

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar u mbajt cikli i parë i trajnimeve, kurse në prill të këtij viti u përfundua cikli i dytë i trajnimeve, nën moton ,,Shkathtësitë e shekullit XXI”. Qëllimi kryesor i këtij komponenti të projektit është që të ndihmojë gjatë procesit mësimor në ngritjen e shkathtësive që lidhen me të menduarit kritik tek nxënësit, me qëllim që të arrijnë sukses në tregun global të punës duke u bazuar në dituri.

,,Gjithashtu, studentët e shkencave natyrore të drejtimit arsimor u trajnuan për përdorimin e metodave mësimore moderne dhe aktive, siç janë qasjet e bazuara në zgjidhjen e problemeve me anë të eksperimentimit dhe projekteve. Ata u trajnuan për aplikimin e eksperimentit, si pjesë integrale e orëve mësimore të shkencave natyrore, ku nxënësit deri te e vërteta shkencore arrijnë në bazë të hulumtimit individual dhe atij grupor, me çka vërtetojnë, apo rrëzojnë hipotezat shkencore. Studentët, gjithashtu u trajnuan për përpilimin e planit struktural, për realizimin e një projekti.” – thekson Ass. Njomza Hasani, njëherësh edhe trajnuese në USAID.

Pas trajnimeve të realizuara studentët do të angazhohen në aplikimin e shkathtësive të fituara gjatë trajnimeve, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke u angazhuar në mbajtjen e orëve mësimore me nxënësit e shkollave fillore.


Zyra për informim
|