Lajme:

 

 

Studentët e USHT-së kërkuan ndërprerjen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit

 

Në organizim të Fakultetit Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe të Klubit të Juristëve të Rinj, si dhe në koordinim me Këshillin kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, për Maqedoni, më 09.03.2010, u organizua debat, me temë: “Vështrim juridik për procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit”.

 

 

 Rasti i Albin Kurtit ka marrë përmasa të debateve serioze, pos nga organizatat e ndryshme joqeveritare, në Kosovë dhe Maqedoni. Gjithashtu, edhe nga ekspertët dhe profesionistët e fushës së drejtësisë, që u dëshmua edhe në debatin e organizuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Klubi i Juristëve të Rinj, me temë: “Vështrim juridik për procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit”.

 

 

Dekani i Fakultetit Juridik, Agim Nuhiu, në fjalën e tij, ndër të tjera tha: ,,Ky debat për procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit është debat profesional, dhe që sot zhvillojmë tribunë në lidhje me vështrimin juridik për procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit. Në këtë tribunë do të trajtohen në aspektin juridik aspekte mbi akuzën ndaj Albin Kurtit, e cila atë e ngarkon për:

 

 

  1. Organizim të turmës, që ka kryer vepër penale;
  2. Drejtim dhe pjesëmarrje në një grup që i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare; dhe
  3. Thirrje për rezistencë me forcë, ose me kërcënim të rëndë.

Këto akuza dalin nga protesta e organizuar më 10 shkurt 2007, nga Lëvizja ''Vetëvendosja'', e cila protestë u shoqëruar me intervenim të policisë ndërkombëtare dhe rezultoi me vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si dhe lëndimin e mbi 80 personave të tjerë”, theksoi dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, Mr.sc. Agim Nuhiu.

 

 

Dekani, Agim Nuhiu, më tej tha se nuk respektohen parimet universale të së drejtës dhe dinjitetit, për të cilat angazhohet OKB-ja, nëse procesi i hetimit për ngjarjet e 10 shkurtit 2007 nuk orientohet në drejtim të zbulimit të kryerësve të veprës penale, për vrasjen e dy demonstruesve paqësorë, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si dhe plagosjen dhe lëndimin e 80 personave të tjerë, pjesëmarrës në demonstratë, si dhe nëse Aktpadia dhe vetë procesi gjyqësor ndaj z. Kurti nuk mbështeten në supozimin e pafajësisë së tij për ngjarjen.

 

 

Kryetari i Klubit ,,Juristët e Rinj”, i Fakultetit Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, studenti Fatos Veliu, në fjalën e tij, ndër të tjera theksoi se rasti kundër Albin Kurtit paraqet shkelje të të drejtave kolektive, veçanërisht të drejtës për gjyq të paanshëm, ku në raportet e organizatave për të drejtat e njeriut, si: Amnesty Internacional, Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe Resisters Internacional, raportuan që rasti ishte politikisht i motivuar dhe që procedimi i rastit anonte kah prokuroria.

Fjalimi i Fatos Veliut

 

 

Ndërsa Fisnike Bekteshi, procesin kundër Albin Kurtit e vlerësoi si politik, jo i bazuar në prova legale dhe fakte relevante. Fjalimi i Fisnike Bekteshit

 


Vlerësime të kësaj natyre paraqitën edhe studentet Flaka Pllozhani. Fjalimi i Flaka Pollozhanit


 

 dhe Bukurije Etemi, të cilat i shpalosën shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit me rastin e procesit ndaj Albin Kurtit. Fjalimi i Bukurije Etemit

 


Këtë debat e përshëndetën edhe Kryetari i Parlamentit studentor të USHT, Shaban Arsllani dhe përfaqësuesi i Këshillit për Maqedoni, kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, studenti i USHT-së, Miftar Emini.

 

Zyra për Informim - USHT.
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044-356-500, lokal 542

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000