Në USHT realizohen me sukses planet dhe programet mësimore
Universiteti Shtetëror i Tetovës e hedh poshtë, si të pavërtetë, deklaratën e dhënë nga disa studentë të vitit të IV, të Programit studimor të Gjeografisë, të dhënë më 8 prill në Televizionin Alsat-M.
Këta studentë, të cilët prezantohen si përfaqësues të të gjithë studentëve të Programit studimor të Gjeografisë kanë dhënë deklarata të pavërteta, duke deklaruar se në Katedrën e Gjeografisë nuk realizohet pjesa praktike e planit dhe programi mësimor. Me përgjegjësi të plotë deklarojmë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Këtë vit akademik, si asnjëherë më parë është duke u realizuar pjesa praktike sipas planit dhe programi mësimor të gjeografisë, edhe atë, jo vetëm për studentët e Programit studimor të Gjeografisë, por edhe për studentët tjerë të USHT-së tha sot në press-konferencën për shtyp Selam Sulejmani, përgjegjës i Zyrës për Informim në USHT.

Dëshmia më e fundit për realizimin e mësimit praktik për studentët e gjeografisë është realizimi i ekspeditës së fundit, me karakter shkencor, në Kosovë, të realizuar në fund të muajit mars, më saktë, më 26 dhe 27 mars 2010, me ç‘rast është vizituar Shpella e Gadimes, në kuadër të mësimit praktik nga lënda e gjeomorfologjisë, ndërsa studentët e vitit të katërt, për motive të panjohura nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj ekspedite deklaroi sot Selam Sulejmani.
Po ashtu, studentët e vitit të parë kanë dalë në terren me profesorin e lëndës përkatëse të gjeologjisë, me profesorin e lëndës Planifikimi hapësinor, në zyrat e Drejtorisë për urbanizëm të komunës së Tetovës dhe komunës së Tearcës.
Gjithashtu, është paraparë që të realizohet edhe ekspedita nga lënda e turizmit nëpër Maqedoninë Perëndimore dhe në Republikën e Shqipërisë, të cilën ekspeditë, studentët protestues të vitit të katërt e kundërshtojnë me pretekst se nuk ka rëndësi, duke kërkuar që të udhëtohet në Turqi, Itali, ose në ndonjë vend tjetër.
E ndjejmë të nevojshme që publikisht të themi, se për herë të parë në praktikën e deritashme për realizimin e punës praktike të Programit studimor të Gjeografisë, të njëjtat realizohen plotësisht me shpenzimet e USHT-së.
Sa u përket kushteve në të cilat funksionon Programi studimor i Gjeografisë, ju themi se aktualisht, ky Program studimor ka hapësira më të përshtatshme për zhvillimin e mësimit dhe zyra për profesorët dhe asistentët, në krahasim me fakultetet dhe programet tjera studimore, krahasuar me numrin e studentëve. Duhet të theksojmë se prej këtij viti akademik, studimet e rregullta në Programin studimor të Gjeografisë janë pa pagesë, falas.
Mbi të gjitha, reagimi i studentëve në fjalë nuk qëndron, pasi të gjitha objektivat e parapara me planin dhe programin e Programit studimor të Gjeografisë, në FSHMN, në kuadër të USHT-së, realizohen me përpikëri.
Zyra për Informim - USHT
|