Suzana Ejupi e mbrojti tezën e magjistraturës
Kuadri akademik i USHT-së edhe më tej vazhdon me avansimin mësimor-shkencor. Ditët e fundit të vitit 2009, Suzana Ejupi e mbrojti me sukses tezën e magjistraturës, me temën:“NDIKIMI I STRATEGJIVE TË TË MËSUARIT TEK NXËNËSIT E SHKOLLAVE FILLORE NË TË MËSUARIT E GJUHËS ANGLEZE SI GJUHË TË HUAJ”), para komisionit në përbërje prej: doc. dr. Brikena Xhaferi (mentore), prof. dr. Sami Ibrahimi (anëtar) dhe doc. dr. Aida Koci (kryetare).
Prezantimi u zhvillua konform Rregullores për studime të ciklit të dytë, studimeve të magjistraturës dhe në pajtim me standardet e Sistemit të Bolonjës.

Kandidatja Suzana Ejupi i paraqiti hulumtimet e saj nga fusha e mësimdhënies dhe nxënies në gjuhën angleze, më konkretisht ajo hulumtoi hipotezat me sa vijon:
“Cilat strategji të të mësuarit përdoren nga nxënësit e shkollave fillore?”, “Si këto strategji ndikojnë në të mësuarit e gjuhës angleze si gjuhë të huaj?” dhe “Cila është ndërlidhja në mes strategjive të të mësuarit dhe të mësuarit e gjuhës angleze si gjuhë e huaj, në raport me strategjitë direkte dhe indirekte të të mësuarit?”.
Nga të dhënat e fituara nëpërmjet observimit, kandidatja nxori në pah se në shkollat fillore të Gostivarit, nxënësit ishin më tepër të fokusuar në përdorimin e strategjive kognitive dhe të kompensimit, të cilat ndihmojnë në memorizimin dhe përvetësimin e njësive gjuhësore në mënyrë më të lehtë dhe të përshtatshme. Për më tepër, po të njëjtët nxënës ishin relativisht të fokusuar në strategjitë siç janë ato të memories, metakognitive dhe sociale, të cilat kanë për qëllim t’u ndihmojnë nxënësve në zgjerimin e njohurive dhe t’i pajisin ata me mundësi të ndryshme për të mësuar. Në anën tjetër, po të njëjtit nxënës nuk janë të fokusuar në strategjitë afektive, që nënkupton se mësimdhënësit po anashkalojnë ndjenjat dhe qëndrimet e nxënësve në raport me të mësuarit e gjuhës angleze si gjuhë të huaj.

Nga këto të dhëna, kandidatja nxori përfundime dhe sugjerime që nënkuptojnë se si mësimdhënësi duhet të studiojë konceptin e strategjive të të mësuarit duke përvetësuar definicionin, rëndësinë, ndikimin, funksionin dhe përdorimin e strategjive të të mësuarit. Gjithashtu, duhet të jenë në gjendje të transferojnë dhe përshtatin këto strategji të të mësuarit sipas nevojave mësimore. Për më tepër duhet t’i motivojnë nxënësit në identifikimin e strategjive të të mësuarit dhe t’u mundësojnë atyre të pavarësohen në përvetësimin e njohurive. Në fakt, t’i udhëzojnë nxënësit se si ta menaxhojnë të mësuarit dhe t’i ndjekin me vëmendje instruksionet e mësimdhënësve në këtë drejtim.
Pas elaborimit të tezes se masterit, Suzana Ejupi, nga ana e Komisionit u vlerësua mjaft lartë për shtjellimin e tezes dhe ju dha titulli shkencor, magjistër shkence (Mr.sc.).
Zyra për informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044-356-500, lokal 542 |