Arkaizmat në të folmet shqipe në Maqedoni, një studim i rrallë nga Mr. Zarije Nuredini
“Gjuha e gjallë popullore është arkiv i madh i së kaluarës, investim i madh i materialit dokumentar, pasqyrë historike më e vjetër, më besnike e jetës historike të një bashkësie”.
Mahir Domi
Mr. Zarije Nuredini, asistente në Fakultetin Filologjik të USHT-së, Programi studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, më 5 maj 2010, në Fakultetin Filologjik ,,Bllazhe Koneski” në Shkup, para komisionit në përbërje: prof. dr Avzi Mustada – mentor, prof. dr Agim Poloska – kryetar komisioni, prof. dr Asllan Hamiti – anëtar, prof. dr. Katerina Veljanovska – anëtare dhe doc. dr Valbona Toska – anëtare, e mbrojti disertacionin e doktoratës, me titull: ,,Arkaizmat në të folmet shqipe në Maqedoni” dhe mori titullin DOKTOR I SHKENCAVE FILOLOGJIKE.

Ky punim është një nga studimet e para për arkaizmat në të folmet shqipe në Maqedoni dhe ka për qëllim zbulimin e një kategorie të veçantë fjalësh, të atyre që kanë pushuar së qeni në shtresën aktive të gjuhës sonë. Mr. Zarije Nurdini theksoi se në leksikun e shqipes dhe në leksikun që përdor çdo njeri, dallohen dy shtresa: një shtresë fjalësh aktive, që njihen mirë e përdoren shpesh në punët e përditshme e në jetën e zakonshme dhe një shtresë fjalësh që s’njihen prej të gjithëve, ose, megjithëse njihen, por nuk përdoren, në vend të tyre përdoren fjalë të tjera; p.sh., për të gjithë janë të njohura fjalët eci, them, punoj, i bukur, i zi, nënë, njeri, lart, kohë etj.; ato përdoren shpesh dhe përbëjnë shtresën e përdorimit të përbashkët të leksikut, kurse fjalët poronicë, dac, punto, pishtoll, uzdajë, frezë, tyl, vatan, zaman etj., nuk janë të përdorimit të përditshëm.

Punimi ka synuar që të studiojë: fjalët e shtresës së vjetruar leksikore; shkaqet që kanë ndikuar për kalimin e fjalëve nga leksiku aktiv në atë pasiv; klasifikimin e arkaizmave; rrjedhën në vendosjen e tyre te grupi i arkaizmave të mirëfilltë, apo jo të mirëfilltë, varësisht nga mënyra se si dalin nga shtresa aktive e leksikut, fjalët e caktuara, që vazhdojnë të përdoren për qëllime stilistikore.

Autorja, nëpërmjet shembujve ka sqaruar teorikisht, se si disa fjalë vjetrohen, sepse siç thekson Mr. Zarije Nuredini, ato zëvendësohen me fjalë të tjera (arkaizmat e mirëfillta). p.sh. ujanë me oqean, hijezë me çadër etj.
Urojmë që ky punim shkencor sa më parë të botohet si libër dhe si i tillë të mbush vakumin e studimeve të mirëfillta gjuhësore te ne dhe më gjerë dhe t’ju shërbejë studentëve, dialektologëve të ardhshëm, si dhe studiuesve të cilët duan të merren me këtë problematikë shkencore.
Zyra për informim
|