Universiteti Shtetëror i Tetovës merr pjesë në Panairin për Arsim dhe Karrierë
Universiteti Shtetëror i Tetovës do të merr pjesë në Panairin e Arsimit dhe Karrierës që do të mbahet më 14, 15 dhe 16 prill në sallën e dytë të Panairit të Shkupit. Në tendat e USHT-së, gjatë ditëve të panairit, studentët e ardhshëm do të informohen me ofertën mësimore dhe shkencore për të gjitha planet dhe programet mësimore, si dhe pagesat e studimeve që ofron ky universitet. Po ashtu, është paraparë që gjatë ditëve të Panairit të Arsimit dhe Karrierës, USHT të realizojë edhe prezantime më të detajuara për programet studimore të të gjitha fakulteteve.

Pas hapjes solemne, në ora 11.30, Universiteti Shtetëror i Tetovës do të prezantojë plan-programin studimor të gazetarisë, ku përpara auditorit, Doc. dr. Imer Ismaili, do të ligjërojë në temën “Gazetaria në mes studimeve dhe profesionalizmit”.
Organizatorët e këtij evenimenti, në programin e tyre kanë paralajmëruar edhe aktivitete të tjera përcjellëse, si: ligjërata, tryeza të rrumbullakëta dhe punëtori nga sfera e edukimit, mobiliteti , integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian, etj., me përfaqësues të institucioneve arsimore dhe fusha e biznesit.
Pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar një numër i konsiderueshëm i institucioneve arsimore, private dhe shtetërore, nga Maqedonia, ndërsa do të prezantohen edhe institucione nga Greqia, Hungaria, Holanda, Italia, Britania e Madhe, Austria, Gjermania, Shqipëria, Franca, Brazili, Spanja dhe SHBA.
Përndryshe, ky manifestim organizohet nga Panairi i Shkupit dhe Qendra Informative Arsimore nga Shkupi. Panairi i Arsimit dhe Karrierës do të shpallet i hapur më 14 prill, në orën 11, ndërsa gjatë dy ditëve në vijim për vizitorët do të hapet nga ora 10 deri në orën 20.00.
Zyra për Informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|