Lajme:

 

Studentët e USHT-së, diskutuan për sfidat e të rinjve

 

Parlamenti Studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës në bashkëpunim me Forumin Rinor Islam në Republikën e Maqedonisë, në amfiteatrin e Rektoratit organizoi sot debat të hapur, me temë: ,,Sfidat e të rinjve”. Shaban Arsllani, Kryetar i PS-USHT-së përpara studentëve dhe mysafirëve theksoi se të rinjtë sot përballen me sfida të shumta. Në radhë të parë është pasiguria e tyre ekonomike, e cila para së gjithash vjen si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike dhe papunësisë që mbretëron, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Mungesa e pavarësisë ekonomike, lirisht mund të thuhet se është faktori kryesor qe nuk u lejon të ,,shpërthejnë" plotësisht, në aspektin pozitiv, duke i detyruar të rinjtë të mbajnë një këmbë brenda dhe tjetrën jashtë shtëpisë, në humbjen e një identiteti të plotë.

 


Në paraqitjen para auditorit, Shaban Arsllani ka vijuar fjalimin e tij me konstatimin se rinia tani më ka mundësi të shumta për të studiuar, duke marrë parasysh se në Republikën e Maqedonisë funksionojnë pesë universitete publike, në mesin e të cilëve edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, si dhe shumë universitete të tjera private, megjithatë rinia e sotme studentore, përballet me njërin prej problemeve esenciale të njeriut, punësimin. Të rinjtë, edhe pas tërë këtyre viteve të shkollimit, nuk janë të sigurt se në fund mundi i tyre do t’ju shpaguhet dhe do të gjejnë një vend pune, ndërsa kjo është njëra ndër nevojat elementare të çdo njeriu. Liberalizimi i regjimit të vizave, me të cilin tani edhe të rinjtë tanë mund ta dëshmojnë veten, përballë moshatarëve të tyre nga vendet e Bashkimit Evropian, është një hap për t’u përshëndetur, por ekziston rreziku se për shkak të pamundësisë për të gjetur një vend pune, një numër i madh i tyre, dijen e fituar me mund dhe sakrifica të shumta ta bartin në vendet e jashtme, deklaroi Kryetari i PS-USHT-së, Shaban Arsllani.

 


Kryetari i FRI-së, Sali Shasivari, në pika të shkurtra foli për rolin e rinisë në rrjedhat e gjithmbarshme shoqërore si dhe mekanizmat e një participimi më efektiv. Sali Shasivari, në mes tjerash theksoi se: ,,Rreth bisedës në lidhje  me rolin dhe përgjegjësitë e rinisë së sotme nuk duhet që të lëmë anash edhe bisedën në lidhje me anomalitë, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet rinia e këtij nënqielli, si dhe gjetja e zgjidhjes adekuate”.

 


Debati i sotëm për sfidat e të rinjve përfundoi me ligjëratën e  dr. Musa Musait, me temë: ,,I riu shqiptar dhe dilemat e kohës”. ,,Derisa po mendoja se nga cili spektër ta orientoj bisedën time në lidhje me të riun shqiptar sot, më tepër u përqendrova të mendoja rreth asaj se cila do të ishte çështja më e gabueshme që do ta thosha para të rinjve, dhe shpresoj të mos kem gabuar nëse them se supozoj që fjalët më të neveritshme për një të ri sot, ose thëniet më pak të dëshiruara për të,  janë fjalitë që fillojnë me ,,nuk e dini ju si ishte në kohën tonë”, ose “kështu siç veproni ju,  nuk është në rregull”, tha në fillim të ligjëratës së tij, dr. Musa Musai. Sado që,  ndoshta për nga realiteti, herë pas here edhe nuk janë aq të gabuara si këshilla, karshi asaj se si duken në pikëpamjet dhe botëkuptimin e një të riu sot. Prandaj, unë në diskutimin tim nuk do të përdor fjali të ngjashme me ato që u përmendën më lartë, kështu që diskutimin tim më tepër do ta orientoja në lidhje me çështjet që sot vërtet paraqiten si sfida të rëndësishme para një të riu. Do të doja të kishin pasur një botë, ku të rinjtë nuk do të shtronin pyetjet: ,,Çka do të ndodhë nesër me mua?”, ,,Çka e pret gjeneratën time në ditën që vjen?”,  ,,Si do të jetë e ardhmja e gjithë këtyre gocave dhe djelmoshave të universiteteve tona?”, ,,Kah do të na shpie e nesërmja?” S’do mend se është një frikë që i shqetëson gati të gjithë të rinjtë, që do të thotë se do të ketë të rinj që nuk janë të sigurt për fitimin e tyre ekonomik, që nuk do të jenë të sigurt për hapat që do t’i ndërmarrin, nuk do të ndjehen të sigurt për mendimet e tyre, për zgjedhjet e tyre. Madje, as për frikën e tyre ata nuk janë të sigurt. I riu nuk është i sigurt as për veten, as për të tjerët”, theksoi në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, dr. Musa Musai. Debati i sotëm zgjoi interesim në mes studentëve të USHT-së, të cilët patën mundësi të parashtrojnë pyetjet e tyre në temën e lartpërmendur.

 

 

 

Zyra për informim
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000