USHT e nderoi Presidentin Bamir Topi me titullin ,,Doctor Honoris Causa”
Universiteti Shtetëror i Tetovës, sot shënoi një ngjarje, e cila do ta nderonte çdo universitet. Pas Vendimit të Senatit të Universitetit, të datës 12.04.2010, sot në mënyrë solemne dhe mjaft madhështore Presidentit të Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Bamir Topi, iu nda titulli “Doctor Honoris Causa”.

Manifestimi i sotëm, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të jetës politike, ambasadorë, profesorë, si dhe mysafirë të shumtë, të cilët kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe në USHT, filloi me intonimin e himnit të universiteteve ,,Viva academia, viva profesores”, nga ana e Korit kamertal të USHT-së.
Në fillim të manifestimit, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, tha se: ,,Ky titull u jepet personaliteteve më të larta, për rezultatet shkencore dhe kontributin e tyre për të mirën e njerëzimit. Kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm për këtë institucion të lartë arsimor në RM-së”, theksoi rektori Reka.
Për jetëshkrimin e laureatit, Prof. dr. Bamir Topi, foli prorektori për arsim i USHT-së, prof. dr. Ismail Ahmedi, i cili njëherësh ishte edhe laudator i këtij akti solemn. Profesori Ismail Ahmedi, ndër të tjera tha se prof. dr. Bamir Topi ka arritur shumë rezultate shkencore, duke i zhvilluar aftësitë e tij profesionale dhe shkencore në institucionet më të njohura në SHBA, Zvicër, Itali, si dhe shtete të tjera të Evropës.
Në këtë manifestim, prorektori për shkencë i USHT-së, doc. dr. Reshat Qahili, e lexoi Vendimin e Senatit të USHT-së, duke thënë se ky titull i jepet Presidentit Topi për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm, për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe të lirive akademike, ndërsa më pas, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, Presidentit të Shqipërisë, zotëri Bamir Topit i ndau titullin ,,Doctor Honoris Causa”. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamit Topi, pas marrjes së titulli, para një auditori të gjerë, u shpreh: “Titulli që mora sot është një titull i lartë i një universiteti më të ri shqipfolës në RM. Ky titull më shton një motiv më shumë për të qenë më afër këtij universiteti. Ky titull që mora do të mbetet në memorien time në jetë të jetëve”.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke e falënderuar Presidentin Topi për fjalët e tij, theksoi se: “Studentët, profesorët dhe të gjithë punonjësit e USHT-së, janë mirënjohës për punën dhe përkushtimin në afirmimin e kauzës sonë kombëtare dhe kontributin e Presidentit Topi në promovimin e vlerave akademike dhe shkencore. Sugjerimet Tuaja për ne do të mbeten udhërrëfyes për realizimin e misionit mësimor e shkencor në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për ne shërben si një shembull e model se në saje të përkushtimit të tyre edhe akademikët japin një kontribut mjaft të suksesshëm edhe në jetën politike dhe shoqërore të një kombi”, theksoi në fjalën e tij Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka.
Solemniteti i sotëm përfundoi me ekzekutimin e dy pikave muzikore nga Kori kamertal i USHT-së, në dirigjimin e profesorit Selami Kolonja, si dhe pikës muzikore ekzekutuar nga profesorët Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi.


















Tetovë, 15.04.2010
Zyra për informim e USHT-së
|