,,Ditët e Edrenesë në Maqedoni” u prezantuan edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës
Universitetin Shtetëror të Tetovës e vizitoi sot një delegacion nga Turqia, i kryesuar nga Mustafa BÜYÜK, Valiu i Edrenesë.
Delegacioni nga Edreneja e Turqisë, në Rektoratin e USHT-së u prit nga Rektori, prof. dr. Agron Reka, prorektori për shkencë, doc. dr. Reshat Qahili, dekani i Fakultetit Filozofik, doc. dr. Fehari Ramadani dhe doc. dr Bashkim Ziberi, këshilltar i Rektorit për marrëdhënie ndërkombëtare.

Në fillim, Rektori i Universitetit, prof. dr. Agron Reka, theksoi se USHT ka një bashkëpunim të frytshëm me disa universitete nga rajoni dhe bota, por duhet veçuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që Universiteti ynë ka ndërtuar me universitetet nga Republika e Turqisë. Bashkëpunimi i mirëfilltë, jo vetëm që i forcon institucionet e arsimit të lartë, por edhe i afron marrëdhëniet mes tyre, kulturën dhe traditën në mes popujve.

Mustafa BÜYÜK, Valiu i prefekturës së Edrenesë, në këtë takim pune deklaroi se me këtë rast na i përcjell përshëndetjet e Universitetit të Trakisë dhe ftesën për pjesëmarrje në Kongresin Ballkanik, i cili do t’i zhvillojë punimet në Edrene të Turqisë. ,,Unë i përgëzoj drejtuesit e USHT-së për kontributin dhe përpjekjet në forcimin e lidhjeve me Universitetet e Turqisë dhe ky bashkëpunim arsimor, shkencor dhe institucional, jam i bindur se do t’i jep frytet e tij në të ardhmen, tha z. Mustafa BÜYÜK.

Gjatë këtij takimi, Rektori, prof. dr. Agron Reka, e prezantoi historikun e Universitetit, nga data e themelimit, më 1994, duke shtuar se aktualisht në kuadër të këtij Universiteti funksionojnë 11 fakultete, tre institute për punë kërkimore-shkencore, 35 programe studimore dhe 93 drejtime studimore. Universiteti ynë është i vetmi universitet publik që kemi ne shqiptarët e Maqedonisë, prandaj këtë tempull të dijes e trajtojmë me kujdes të veçantë, tha Rektori, prof. dr. Agron Reka. Në përmbyllje të kësaj vizite pune, Rektori i USHT-së, Valiut të Edrenesë i dhuroi një pikturë me pamje të Xhamisë së Larme, në Tetovë, të punuar nga studentët e Fakultetit të Arteve.
Në kuadër të aktivitetit ,,Ditët e Edrenesë në Maqedoni” të organizuara nga prefektura e Edrenesë, Valiu, Mustafa BÜYÜK, i shoqëruar nga profesori Hilmi Ibar, Dekani i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Trakisë, doc. dr. Mustafa ÖZER, historian i artit, Mustafa HATIPLER, poet dhe shkrimtar, Doc. dr Ahmet Gülşen, Drejtor i Institutit për hulumtime ballkanike, në Amfiteatrin e USHT-së, para studentëve prezantuan të dhëna mbi gjuhën, letërsinë dhe historinë turke.
Doc. dr. Mustafa ÖZER tha se në këto troje, shekuj me radhë kanë jetuar popuj të ndryshëm, të cilët kanë këmbyer kulturën dhe traditën e tyre mes vete.

Ndërsa poeti dhe shkrimtari Mustafa HATIPLAR u përqendrua në shtrirjen e kulturës osmane në Ballkan dhe më gjerë. Kultura turke dhe shtrirja e saj bazohet në monumentet historike që janë të shumta në këto territore, të cilave populli turk u kushton rëndësi të posaçme dhe investon për mirëmbajtjen e tyre. Për nga numri dhe ngjashmëria e monumenteve historike, z. Mustafa HATIPLAR tha se qyteti i Edrenesë është identik me qytetet si Tetova, Shkupi, Sarajeva dhe të tjerë.
Ligjëratat e profesorëve nga Turqia zgjuan interesim dhe u mirëpritën nga studentët e USHT-së, ndërsa organizimet e kësaj natyre padyshim e ndihmojnë punën e tyre mësimore dhe shkencore.
Zyra për informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|