Universiteti Shtetëror i Tetovës shënoi 15-vjetorin e ligjëratave të para
Universiteti Shtetëror i Tetovës, më 17.02.2010, me aktivitete të ndryshme shënoi 15-vjetorin e mbajtjes së ligjëratave të para në Universitetin e Tetovës. Fillimisht, delegacioni i Parlamentit Studentor të USHT-së, bëri homazhe dhe vendosi kurorë me lule, tek busti i dëshmorit të arsimit, Abdylselam Emini, i cili ra në mbrojtje të arsimit shqip, pikërisht 15 vjet më parë.
.jpg)
Më pas, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, i shoqëruar nga një delegacion i lartë i Universitetit, realizoi një vizitë në familjen e dëshmorit të arsimit, Abdylselam Emini, në Reçicë të Vogël, me ç‘rast, birit të dëshmorit i dhuroi një mirënjohje nga Universiteti, për kontributin dhe sakrificën e bërë në mbrojtje të arsimit shqip.
.jpg)
Një delegacion i USHT-së, në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të mbajtjes së ligjëratave të para, po ashtu vizitoi edhe fshatin Poroj, respektivisht lokalin ku u zhvilluan ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës.
.jpg)
Manifestimi qendror për shënimin e kësaj date të shënuar u organizua në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së.
.jpg)
“Në ditën e sotme, para 15 viteve, zemra shqiptare filloi të rrahë më shpejt se kurrë. Më në fund jetësohej një ideal. Përfundimisht ëndrra e gjeneratave të tëra bëhej realitet. Shënohej fillimi i punës së Universitetit të parë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Popullata shqiptare e Tetovës dhe rrethinës ishte ngritur në këmbë për të parë ,,lindjen e ardhmërisë së tij”. Në Reçicë të Vogël dhe në Poroj ishin tubuar mijëra njerëz për t’i përshëndetur bijtë dhe bijat e tyre që shkruanin faqen më të ndritur të historisë së kësaj pjese të trungut shqiptar, lindjen e Universitetit të Tetovës”, u tha në fillim të manifestimit.
.jpg)
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke folur për mbajtjen e ligjëratave të para në këtë tempull të diturisë, theksoi se: ,,15 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995, në këtë datë të shënuar për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, në fshatin Poroj të Tetovës u mbajtën ligjëratat e para, në kuadër të Universitetit të Tetovës, i cili atëkohë ishte i kontestuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes banorëve dhe policisë, i cili përfundoi tragjikisht, me shumë të lënduar, të burgosur dhe një viktimë, rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe, Abdylselam Emini”, theksoi Rektori, prof. dr. Agron Reka, duke shtuar se kjo datë ka edhe një koincidencë, po të njëjtën ditë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës e shpalli Pavarësinë e shumëpritur nga gjenerata të tëra, që u sakrifikuan në altarin e lirisë, për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
.jpg)
Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani, duke folur për rëndësinë e kësaj date, theksoi se kujtesa është ende e freskët dhe na sjell qartë pamjen e asaj kohe, imazhin e një sfide të madhe intelektuale dhe arsimore. “Universiteti i Tetovës asokohe ishte më shumë se një institucion arsimor, ishte një tempull dije ku do të prodhoheshin kuadrot arsimorë, që sot pas 15 viteve kemi doktorë shkencash dhe magjistra të mirëfilltë. Historia e ngritjes së këtij tempulli ka për paradigmë fatin dhe fatkeqësinë e etnisë sonë përballë kanibalizmit të tipit Ballkanik, ku urrejtja ndaj kulturës së ,,tjetrit’’ ishte më se e theksuar, ku përgatiteshin plane absurde dhe se shqiptarët duhej të përfundojnë në një hiç, mirëpo falë vullnetit dhe kurajës së qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, erdhi deri tek realizmi i ngritjes së tempullit të artë të diturisë për shqiptarët e këtij nënqielli”, theksoi Arsllani.
.jpg)
Në shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin e tyre që e dhanë për funksionimin e këtij Universiteti, Rektori, prof. dr. Agron Reka, u ndau mirënjohje familjeve që shtëpitë e tyre i shndërruan në mësonjëtore të Universitetit. Ai, po ashtu falënderoi profesorët dhe bashkëpunëtorët që dhanë kontribut për ngritjen, përparimin dhe konsolidimin e këtij institucioni të vetëm të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor të tij, sidomos profesorëve nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Shkupit.
.jpg)
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, me këtë rast, si pasojë e mungesë së dokumenteve dhe fakteve lidhur me kontribuuesit dhe pedagogët që ndihmuan në lindjen, rritën dhe zhvillimin e këtij universiteti, u bëri thirrje qytetarëve dhe mbarë opinionit, që të dhënat e tyre t’i deponojnë në Komisionin i cili është formuar enkas për këtë qëllim nga ana e Rektoratit të USHT-së.

Manifestimi me rastin e shënimit të 15-vjetorit të ligjëratave të para përfundoi me një program artistik, të përgatitur nga studentët e Programit studimor të Artit muzikor.
Zyra për informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
Tel:044/356 500, lokal 542
|