Një delegacion i Universitetit të Sportit dhe Shkencës së Lëvizjes Foro Italico qëndroi për vizitë pune në USHT
Një delegacion tre anëtarësh nga Universiteti i Sportit dhe Shkencës së Lëvizjes, Foro Italico, i kryesuar nga Rektori Paolo Parisi, qëndroi për vizitë pune në USHT. Delegacioni italian u prit nga Rektori, prof. dr. Agron Reka, ndërsa në takim morën pjesë edhe Prorektori i Universitetit të Edukimit Fizik, nga Tirana, Arben Kaçuri, si dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik, nga Universiteti i Prishtinës, Ajvaz Berisha. Ky takim u realizua në kuadër të projektit të përbashkët TEMPUS, i quajtur “Ballkan Sport”, ku USHT vepron në partneritet të plotë me institucionet e lartpërmendura.

Me këtë rast, Rektori i USHT-së, prof .dr. Agron Reka, tha se ecuria dhe bashkëpunimi në projekte të përbashkëta është për t’u përshëndetur dhe gjithmonë do të përkrahet nga Universiteti ynë, duke e zgjeruar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera të natyrës akademike dhe shkencore. Rektori, Paolo Parisi, falënderoi udhëheqjen e USHT-së për pritjen e ngrohtë dhe deklaroi se iniciativat e tilla, në nivele universitetesh, kontribuojnë në avancimin e arsimit, kulturës dhe shkencës mes këtyre institucioneve.

Rektori, prof. dr. Agron Reka, për delegacionin e lartpërmendur shtroi një drekë solemne. Me këtë rast, vlen të theksohet se USHT bashkëpunon me një numër të konsiderueshëm të universiteteve nga vendi, rajoni dhe bota.

Zyra për informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
Tel:044/356 500, lokal 542 |