USHT nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Thrakisë
Një delegacion i lartë i USHT-së, në përbërje: Rektori, prof. dr. Agron Reka dhe Prorektori për mësim, prof. dr. Ismail Ahmedi, nga data 8 mars deri më 10 mars 2010 qëndruan për vizitë zyrtare në Universitetin e Trakisë, në Edrene të Republikës së Turqisë.

Gjatë kësaj vizite, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me Rektorin e Universitetit të Trakisë, prof. dr. Enver Duran, për avancimin, forcimin dhe promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes këtyre dy Universiteteve.

Në mes të Universitetit të Trakisë, në Edrene të Republikës së Turqisë dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës, nga Republika e Maqedonisë, do të vendosen marrëdhënie më të fuqishme akademike, kulturore dhe bashkëpunimi.

Për trajnimin dhe përparimin e stafit akademik do të ofrohet ndihmë e ndërsjellë. Do të ofrohen njohuri dhe shkëmbim i përvojës dhe punëve të përbashkëta, në fusha të ndryshme shkencore dhe edukative.

Të dyja palët do të përfitojnë nga njohuritë e njëri-tjetrit, si dhe përvojat për të gjetur zgjidhje për problemet shkencore me interes të ndërsjellë; palët do të bëjnë shkëmbim të stafit akademik, në mënyrë që të përfitojnë nga përvojat dhe opinionet e njëri-tjetrit; do të përkrahin grupet hulumtuese dhe këmbimin e studentëve, në mënyrë reciproke, në fushat me interes të përbashkët; librat, publikimet e ndryshme dhe materialet tjera, që do të përdoren për arsimim, trajnim dhe qëllime kërkimore, do të shkëmbehen nga të dyja palët.

Të dy palët do të inkurajojë organizimin reciprok të takimeve shkencore si dhe do të mbështeten aktivitetet e hulumtimit të përbashkët, në fushat me interes të përbashkët për të dyja palët.

Delegacioni i USHT-së, në Universitetin e Trakisë realizoi edhe takime zyrtare me Guvernatorin e Edrenesë, Mustafa BÜYÜK, dekanin e Fakultetit të Shkencës dhe Letërsisë, Prof. Şevket Erol OKAN, si dhe dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, Prof. dr. Ahmet CAN.

Gjatë qëndrimit treditor në Edrene, delegacioni i USHT-së vizitoi edhe më shumë institucione arsimore dhe kulturore të këtij qyteti.


Zyra për Informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|