6

Bredzinski për akreditimin ndërkombëtar i programit studimor të inxhinierisë ekonomike

 

Prof. dr. Horst Bredzinski nga Universiteti Teknik Bergakademie të Freibergut-Gjermani, më 17.05.2007 (e enjte), para studentëve dhe profesorëve mbajti ligjëratën e dytë me temë: “Akreditimi ndërkombëtar i programit studimor të inxhinierisë ekonomike”. Profesori Bredzinski nënvizoi se ai është edhe anëtar i shoqatës së inxhinierisë ekonomike ndërkombëtare që bën akreditimin e programit studimor përkatës në kuadër të universiteteve të Evropës.

Në këtë ligjëratë profesori gjerman bëri të ditur për akreditimin e kombinuar, ku universitetet bëjnë kërkesa deri te kjo shoqatë, e cila pastaj shqyrton dhe miraton kërkesat. Ai tha se gjatë kërkesave të universiteteve për akreditim të këtyre programeve studimore, ka pasur raste kur nuk janë pranuar, ngase disa universitete private, të cilët më shumë dëshirojnë që të fitojnë mjete financiare. Prof. dr. Horst Bredzinski foli edhe për programet studimore, ku një rëndësi e vecantë i përkushtohet planit afatgjatë, që t’u sigurojë jetëgjatësi dhe t’u sigurojë punësime studentëve.

Profesori njoftoi studentët se kjo shoqatë ka bashkëpunim me shoqatat tjera simotra në botë, si ajo e SHBA-së, Francës, Zvicrës, Cekisë etj.

Programi studimor i inxhinierisë ekonomike është i unifikuar sipas sistemit të Bolonjës dhe thirrjet Bachelor dhe Master janë në kuadër të këtij programi. Po ashtu studentët kanë një semestër, të cilën e kryejnë në praktikë, qëllimi i së cilës është që studentët të mund të punësohen. Profesor Bredzinski tha se për këtë program studimor kërkohen 300 kredi, të cilët realizohen për 5 vjet. Ndërsa, gjatë punës në praktikë për të fituar 1 kredi duhen 30 orë pune, ndërkaq punimi master vlen 20-25 kredi. Në këtë program studimor 20 për qind e lëndëve kanë të bëjnë me matematikën, 25 për qind me shkencat e materialeve, 15 për qind janë lëndët zgjedhore, 15 për qind informatikë e gjuhë të huaj dhe 25 për qind praktikë.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.