,,Edukata seksuale e rinisë në optikën e informimit objektiv”, libër mase i nevojshëm për rininë studentore
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u promovua një libër, sa i veçantë, po aq edhe i nevojshëm, lidhur me edukimin seksual të rinisë dhe informimin objektiv të tyre për këtë çështje. Autori i librit ,,Edukata seksuale e rinisë në optikën e informimit objektiv”, prof. dr. Amzi Zimberi, ligjërues në Programin studimor të Psikologjisë, të Fakultetit Filozofik të USHT-së, në mes tjerash thekson, se lënda mësimore “Humanizmi i marrëdhënieve ndërmjet gjinive” të duhet të hyjë si lëndë e obligueshme, ose zgjedhore, në të gjitha programet studimore që përgatitin kuadro për institucionet arsimore.

Me rastin e promovimit të këtij libri, mjaft të nevojshëm për rininë studentore, autori, prof. dr. Amzi Zimberi, theksoi se ky libër është një studim i punës teorike dhe empirike dhe hulumtim shumëvjeçar i tij. ,,Ky libër është një studim i me materiale të zgjedhura, të përpunuara, sistematizuara dhe koduara, sipas nocioneve dhe kategorive shkencore, nga psikologjia e marrëdhënieve ndërmjet gjinive, si një fushë më e papërpunuar dhe më e pa hulumtuar në kulturën shqiptare”, theksoi në fjalën e tij, në promovimin e librit, autori, prof. dr. Amzi Zimberi.

Sipas studimit që ka bërë autori, të rinjtë, për jetën, problemet dhe sjelljet seksuale, më së tepërmi informohen nga bashkëmoshatarët e tyre dhe mediat elektronike, ndërsa më së paku nga familja. Prof. dr. Amzi Zimberi, në librin e tij thekson, se qëllimi i edukimit dhe arsimimit seksual është që te fëmija dhe rinia shkollore të formojë besim dhe vetëbesim në vetvete dhe një gjininë e kundërt, mirëkuptim dhe tolerancë në procesin e marrëdhënieve humane ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet gjinive.
Njëri nga recensentët e këtij libri, prof. dr. Avzi Mustafa, me rastin e promovimit të librit ,,Edukata seksuale e rinisë në optikën e informimit objektiv”, të prof. dr. Amzi Zimberit, theksoi se autori në këtë libër ka marrë përsipër të trajtojë një gamë të gjerë të problemeve të edukatës seksuale, duke filluar që nga roli i edukatës seksuale, si kategori pedagogjike, e shtrirë në disa rrafshe, e deri në kërkimin e rrugëve dhe faktorëve kryesorë të edukimit, duke kërkuar që problemi i edukatës seksuale të jetë nën kujdesin e shkencës së pedagogjisë.

,,Duke u nisur nga fakti se edukata seksuale i shërben edhe përgatitjes së jetës familjare, ajo në mjaft vende të botës është futur edhe si lëndë mësimi në shkollë”, tha recensenti i librit, prof. dr. Avzi Mustafa, duke shtuar se ky është edhe qëllimi i autorit, që nëpërmjet këtij studimi na ofron informacion për një arsim, edukim dhe orientim për jetë. Sipas profesor Avzi Mustafës, dalja në dritë e këtij libri është një sihariq i madh në njohjen dhe analizën e problemit të edukimit seksual të brezit të ri.
Recensenti tjetër i këtij libri, prof. dr. Salajdin Memeti, duke folur për librin ,,Edukata seksuale e rinisë në optikën e informimit objektiv”, të prof. dr. Amzi Zimberit, tha se autori me një punë të palodhshme i është rrekur trajtimit të një teme mjaft interesante dhe të qëlluar, duke luftuar kundër paragjykimeve dhe botëkuptimeve në lidhje me edukimin seksual të rinisë sonë shkollore dhe studentore, në fazën më të rrezikshme të tyre, në fazën e pubertetit dhe adoleshencës, kur tek disa të rinj shfaqen sjellje jo të matura, të pakontrolluara, etj. Ky libër, siç shihet edhe nga problemet e shqyrtuara në të, është rezultat i punës shumëvjeçare të autorit, që merret me problemet e edukimit seksual dhe përpjekjet e tij që këto probleme të përfshihen në një vepër të plotë”, theksoi prof. dr Salajdin Memeti, duke përfunduar se, edhe pse ky libër është konceptuar në radhë të parë për nevojat e studentëve të universitetit, mirëpo në bazë të përmbajtjes dhe mënyrës së shtruarjes së problemit, ai do t’iu shërbejë edhe lexuesve të tjerë, pasi në të do të gjejnë njohuri të ndryshme dhe interesante për njerëzit dhe shoqërinë në të cilën jetojmë.
Për rëndësinë e botimit të këtij libri, foli edhe shefi i Programit studimor të Sociologjisë, i Fakultetit Filozofik të USHT-së, doc. dr. Sunaj Raimi. Ai me këtë rast, foli për rëndësinë e librit, për nevojën e literaturës profesionale në fushat e psikologjisë, sociologjisë dhe shkencave të ngjashme, për përvojat e vendeve të tjera në këtë sferë dhe për reflekset shoqërore në ambientin tonë lidhur me këto tema, të cilat gjerësisht dhe mbi bazë shkencore i trajton në këtë libër, autori i tij, prof. dr. Amzi Zimberi.
Në promovimin e këtij libri morën pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve, nga programet studimore të Socilogjisë, Psikologjisë, Filozofisë, studentë nga programet tjera studimore, profesorë, asistentë dhe të interesuar të tjerë.
Në fund të këtij promovimi, vetë autori i librit, në mënyrë përmbledhëse foli për problemet dhe vështirësitë gjatë hulumtimit të kësaj problematike, për rëndësinë e kësaj teme, për të ardhmen dhe perspektivën e studimeve nga kjo fushë, për rëndësinë e përfshirjes së kësaj lënde në planet dhe programet mësimore, etj.
Duhet të theksojmë me këtë rast, se ky libër vjen si vazhdim i disa librave të tjerë të këtij autori, të botuar vite më parë, të cilët po ashtu trajtojnë probleme të edukatës dhe marrëdhënieve mes gjinive.
Zyra për informim
|