Përfundoi projekti për mësuesit e ardhshëm në shoqëritë multi-etnike
Pas përfundimit të suksesshëm të projektit disa mujor “Përforcimi i kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm dhe profesionistë të tjerë që punojnë me fëmijë në një shoqëri multi-etnike”, i cili u organizua nga ana e OSBE-së, në bashkëpunim me Fakultetin Filozofik të USHT-së si dhe dy Organizatat joqeveritare nga Tetova “Aurora” dhe “Sreqen zhivot”, në mënyrë solemne në amfiteatrin e USHT-së, studentëve pjesëmarës në këtë projekt ju ndanë certifikatat për suksesin e arritur gjatë këtij projekti.

Dekani i Fakultetit filozofik të USHT-së, Doc.dr. Fehari Ramadani me rastin e kësaj ceremonie solemne tha :” Projekti në fjalë përfshinte trajnimin disaditor të studentëve në Ohër, si dhe punë praktike gjatë tërë semestrit veror e cila u realizua në shoqatat joqeveritare “Aurora” dhe “Sreken zhivot”. Kështu u mundësuam studentëve tanë që ta realizojnë pjesën praktike të mësimit, që është një komponentë mjaft e rëndësishme e studimeve dhe pjesë e kurikulës. Duke ju falënderuar OSBE-në, studentët tanë kishin mundësi që ta realizojnë praktikën në një mënyrë ndryshe nga deri më tani, kuptohet dhe në mënyrë më efikase. Puna individuale me nxënës nga nacionalitete të ndryshme, të cilët kishin vështirësi në procesin mësimor, ndër të tjerat u mundëson këtyre studentëve edhe përvojë të re për ballafaqim me realitetin multi-etnik të shoqërisë tonë. Studentët e programit studimor pedagogji, të cilët e përfunduan këtë trajnim do të jenë të përgatitur për tejkalimin e barrierave në mjediset multi-etnike, ku neser do ta realizojnë profesionin e tyre”, theksoi dekani i Fakultetit filozofik, Doc.dr.Fehari Ramadani.
Përfaqësuesi i OSBE-së, Johann Schustereder tha se qëllimi kryesor i këtij projekti ishte puna praktike e studentëve të pedagogjisë të cilët në të ardhmen do të punojnë në profesionin e mësuesisë dhe sa më të përgatitur t’i presin sfidat e jetës.

Në fund të ceremonisë, në mënyrë solemne 46 studentëve pjesëmarrës në këtë projekt, iu ndanë certifikatat nga ana e OSBE-së dhe USHT-së, për përfundimin e suksesshëm të projektit “Përforcimi i kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm dhe profesionistë të tjerë që punojnë me fëmijë në një shoqëri multi-etnike”. Certifikatat u dorëzuan, nga prorektori për shkencë i USHT-së, Doc.dr. Reshat Qaili, Dekani i Fakultetit Filozofik doc.dr.Fehari Ramadani, përfaqësuesi i OSBE-së, Johann Schustereder si dhe përfaqësuesit e Organizatave joqeveritare “Aurora” dhe “Sreqen zhivot”, Gëzim Sulejmani dhe Hristina Stanoeviq.


Zyra për Informim - USHT
|