Doktoroi edhe një kuadër i USHT-së
Në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski”, të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi”, në Shkup, më 14. 06. 2010, Mr. Zejnepe Alili - Rexhepi, para Komisionit në përbërje: Akademik Luan Starova – kryetar, prof. dr. Mirlinda Krifca – Beqiri-mentor, prof. dr. Avzi Mustafa, prof. dr. Zeqirja Neziri dhe prof. dr. Agim Leka, anëtarë, e mbrojti disertacionin e doktoratës, me titull: ,,KARAKTERI I PERSONAZHIT TË GRUAS NË VEPRËN E MIGJENIT DHE FLOBERIT”.
Punimi shkencor i Zejnepe Alili – Rexhepit është një kontribut më shumë në studimin e veprës letrare të shkrimtarit shqiptar Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni dhe shkrimtarit të madh francez Gustav Flober. Sipas kandidates, veprat e të dy autorëve, të cilat janë lëndë studimi, e pasqyrojnë shoqërinë shqiptare dhe atë evropiane, respektivisht e përvijojnë realitetin e jetës.

Synim kryesor i punimit është përqëndrimi në personazhin femëror, ku analizohet figura e gruas si protagoniste, ku edhe bëhet një lloj tipologjie e personazhit. Studimi mbështetet në rrafshin tematiko-letrar dhe artistik, të formësimit të personazhit të gruas, përshkrimit dhe karakterit të saj, në krijimtarinë letrare të Migjenit, që kryesisht e përfshin periudhën kohore të viteve ’30-’40, të shekullit XX, kohë kur jeton dhe krijon shkrimtari. Personazhet e veprës së Migjenit reflektojnë vija shtrirëse të realitetit shoqëror, klimën kulturore të kohës dhe gjendjen e vërtetë emotive të gruas. Realisht, gruaja është tabani i rrethanave historike-shoqërore dhe parabola e asaj që ndodh në shoqëri.

Në kreun e parë të punimit Portreti letrar i Millosh Gjergj Nikollës-Migjenit, kandidatja ndalet në ato momente të jetës, të cilat lanë gjurmë në formimin e Migjenit si personalitet. Ajo, kryesisht tregon njohjen e shkrimtarit me letërsinë evropiane, veçmas atë ruse, frenge dhe angleze, si i apasionuar pas veprave të: Niçes, Dostojevskit, Gorkit, Balzakut, Ygosë, Shekspirit.
Në punim theksohet që Migjeni është poet, të cilin e lindi koha e kontradiktave të thella shoqërore. Me ide të orienituara kah realizmi kritik, ai mban qëndrim kritik, i dënon padrejtësitë dhe bën demaskimin e falsitetit të parimeve morale. E vë jetën në shërbim të së vërtetës dhe përjetësisht mishërohet me këtë qëllim të lartë fisnik. Portretizohet si: mendje e ndritur, talent i rrallë dhe humanist i përmasave tejkohore.

Në kreun e dytë, Individualiteti krijues dhe origjinaliteti i spikatur, kandidatja mendon se edhe përkundër faktit se konteksti shoqëroro-politik i viteve 30-ta të shekullit XX përpiqet ta ngulfasë dhe ta censurojë fjalën letrare, megjithatë kjo periudhë jep emra të mëdhenj të letërsisë shqipe. Në një mjedis të këtillë, poezia e Migjenit e bart vulën e kohës dhe njëkohësisht e reflekton idenë e një poeti vizionar, i cili ndikon shumë që letërsia shqiptare të hyjë në një fazë më të lartë të pjekurisë artistike, sikurse dhe konsolidimi i mëtejshëm i saj, mendon Mr. Zejnepe Rexhepi. Portretizimi i gruas shqiptare në veprën e Migjenit paraqet simbolikën e dhembjes, kur dinjiteti i saj nëpërkëmbet, gjë që bëri që ideali i individit të zhbëhet, ndërsa gruaja të çmoralizohet para syve të shoqërisë.
Në kreun e tretë Traditë dhe novatorizëm, Mr. Zejnepe Rexhepi, duke u mbështetur në krijimet prozaike, kryesisht në disa skica e novela, përvijon personazhin e gruas, e cila del si figurë e nënshtruar, e injoruar dhe pa integritet emocional. Portretizimi i saj nuk jepet me atributin e lumturisë dhe dashurisë, por me rënien morale dhe krizën shpirtërore e psikike që e përjeton.
Në kreun e katërt, Trajtesa analoge, analizohen veprat e dy shkrimtarëve të mëdhenj, Migjenit dhe Floberit, në të vërtetë gruaja shqiptare vihet përballë Ema Bovarisë, kryeprotagonistes së romanit Zonja Bovari. Floberit iu desh që ta mbronte në gjyq romanin Zonja Bovari, ndërsa Migjenit i censurohen Vargjet e lira, por pavarësisht kësaj, të dy shkrimtarët lanë kryevepra.
Personazhi i Floberit, Ema e provon thellë dramën e kërkimit të identitetit, mbase deri në tragjedi, edhe pse ajo s’është grua e rrënuar shpirtërisht, vetëm se vetmia në të ka lënë gjurmë titanizmi, në të kundërtën ajo do të shndërrohej në një version femëror donkishotesk. Veprimi i saj, më vonë emërohet me shprehjen bovarizëm. Portretizimi i figurës femërore si Ema është më shumë se një rrëfim për gruan e rrënuar shpirtërisht nga monotonia e jetës dhe paragjykimet shoqërore, e vënë përmballë gruas shqiptare, si personazh i poezisë dhe prozës së Migjenit.
Në kreun e pestë, Përmasat artistike të personazhit, kandidatja ndalet në ciklin Këngët e rinisë, cikël i përbërë nga disa poezi erotike, me çka Migjeni e vazhdon traditën e Zef Serembes, Naim Frashërit, Andon Zako-Çajupit, Ali Asllanit, Lasgush Poradecit, etj. Sipas Mr. Zejnepe Alili-Rexhepit, erotika në këtë cikël është personalizim i ndjenjës së poetit, pra si antitezë e një përjetimi të bukur dhe një humbjeje tragjike.
Më pas, në kreun e gjashtë, Përjetësia e veprës artistike të Migjenit, kandidatja ndalet në elementet e ekspresionizmit si dhe groteskut e ëndrrës së personazhit të gruas. Poashu, në këtë pjesë, Mr. Zejnepe Alili-Rexhepi, mbështetet në figuracionin e stilit, veçanërisht në gjuhën që përdoret, duke zbërthyer dilemat shoqërore, që e ndërthurën botën shpirtërore të poetit, si: idetë, skemat, formësimi estetik, formësimi gjuhësor..., të cilat vijnë si rrjedhojë e unit lirik të poetit. Një vepër e arritur artistikisht, si Vargjet e lira, si dhe Novelat e Qytetit të Veriut, sjell ngjarje, tablo e personazhe nga kufijtë e reales, madje sjell frymë të re, ide e koncepte shoqërore më përparimtare, gjë që nënkupton se letërsia më nuk e kopjon gjuhën, por realitetin, ku vihet në pah origjinaliteti i ambienteve tipike shqiptare.
Zyra për informim
|