Në USHT u organizua Panairi i karrierës, në të cilin kompanitë ofruan mundësi për punësim
Qendra për çështje studentore dhe karrierë, e USHT-së, organizoi Panairin e Karrierës 2010. Në këtë panair, i cili është i pari i këtij lloji, i organizuar në USHT, morën pjesë kompani dhe institucione të ndryshme, të cilat para studentëve dhe të diplomuarve në USHT prezantuan ofertën e tyre për punësim, prodhimet dhe aktivitetet e tyre.

Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke e shpallur të hapur Panairin e Karrierës 2010, theksoi se ky panair është një mundësi e shkëlqyer për kompanitë e ndryshme dhe institucionet, për t’i takuar studentët aktual, të diplomuarit e USHT-së, dhe të njëjtit t’i njoftojnë me veprimtarinë e kompanive dhe organizatave të tyre. ”Ju do të keni një mundësi të përkryer që në radhët tuaja t’i rekrutoni studentët më të suksesshëm, për punë praktike, punë me orar të përgjysmuar, apo profesionistë të diplomuar, për punë me orar të plotë.

Pse duhet të merrni pjesë në Panairin e Karrierës në USHT?
Universiteti Shtetëror i Tetovës ka 11 fakultete, dhe mbi 14.000 studentë aktiv. USHT është i pranishëm gati se në gjithë territorin e Maqedonisë, me fakultet dhe programet studimore të disperzuara në Strugë, Kërçovë, Dibër, Gostivar, Shkup dhe Kumanovë.

Vallë do të kishte promovim më të mirë se pjesëmarrja juaj në këtë panair?
,,Ne ju inkurajomë për pjesëmarrjen tuaj, nga që jemi të bindur se kualiteti i studentëve tanë dhe përgatitja e tyre profesionale do të jenë vlerë e mirëfilltë për kompaninë/institucionin tuaj”, theksoi në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve të panairit, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka.
Në hapjen e Panairit të Karrierës 2010 në USHT morri pjesë edhe Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, zotëri Fatmir Besimi. Ministri Besimi, me këtë rast theksoi se: ,,Në aspekt të studentëve organizimi i panairit ka një efekt që promovon mundësitë e tyre për zhvillim të karrierës së tyre. Në aspekt të kompanive është një mundësi e mirë të njoftohen me kapitalin, apo kuadrin që ato mund ta sigurojnë, në aspekt të Universitetit është valorizimi i dijes dhe asaj që kërkon tregu i punës. Dhe në aspekt shtetëror, kjo është një mundësi shumë e mirë për promovim të dijes, si faktor i zhvillimit. Vetëm një ekonomi e bazuar në dije dhe kompanitë që do të investojnë në kuadro, në kapital dhe dije njerëzore, do të garantojnë një ekonomi më konkurruese dhe një zhvillim më stabil ekonomik”, deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë.

Përgjegjësi i Zyrës për çështje studentore dhe karrierë, të USHT-së, zotëri Daut Memeti, theksoi se në Panairin e Karrierës 2010 marrin pjesë më shumë kompani dhe institucione nga vendi, si dhe studentë të USHT-së. ,,Qëllimi kryesor i panairit është lidhja e drejtpërdrejtë e kompanive dhe studentëve, në drejtim të zvogëlimit të zbrazëtirës që ekziston në mes aftësive të ofruara nga ana e fuqisë së re punëtore dhe kërkesave të kompanive”, theksoi Përgjegjësi i Zyrës për çështje studentore dhe karrierë të USHT-së.


Zyra për informim
|