Shtëpia botuese Hueber nga Gjermania në USHT prezantoi literaturë për mësimin e gjermanishtes
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, këtë javë, në hapësirat e Fakultetit Filologjik, përkatësisht në Programin studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane u bë prezantimi i disa librave të shtëpisë botuese Hueber nga Munihu i Gjermanisë, për mësimin e gjuhës gjermane, si gjuhë të huaj. Prezantimin e librave nga shtëpia botuese gjermane e bëri përfaqësuesja e kësaj shtëpie botuese prestigjioze, zonja Andrea Szacz, në bashkëpunim me lektoren austriake Ursula Reitner dhe Dekanin e Fakultetit Filologjik të USHT-së, doc. dr. Izer Maksuti.

Zonja Szacz i prezantoi në mënyrë të detajuar librat Tangram aktuell dhe Em- neu, për nivelin fillestar dhe nivelin e mesëm, si dhe materialet ndihmëse, si CD, programe, libra shtesë etj. Këto tekste shërbejnë për mësimin modern dhe efikas të gjuhës gjermane, sipas metodave më të reja. Ajo sqaroi mënyrën se si duhet më së miri të përdoren këto libra dhe materiale plotësuese nga ana mësimdhënësve, si dhe me shembuj konkret prezantoi efikasitetin e ushtrimeve dhe teksteve që përmban ky libër si dhe përdorimin e mediave në mësimdhënien e gjuhës së huaj.
Të pranishmit, asistentët e gjuhës gjermane, si dhe studentët e këtij programi studimor parashtruan pyetje konkrete lidhur me materialin. Zonja Andrea Szacz, si përfaqësuese e shtëpisë botuese Hueber i dhuroi Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane dy komplete librash, Tangram aktuell dhe Em- neu, për nivelin fillestar dhe nivelin e mesëm, disa materiale ndihmëse dhe CD.

Dekani i Fakultetit Filologjik, doc. dr. Izer Maksuti, thekson se këto aktivitete janë të rëndësishme, pasi e lehtësojnë mësimin e gjuhës gjermane, ndërsa literatura e Shtëpisë botuese Hueber aplikon metodat më bashkëkohore për mësimin e gjuhës gjermane si gjuhë e huaj.
Zyra për informim
|