Lajme:

 

Në Fakultetin e Arteve të USHT-së Hilmi Memeti mbrojti temën e magjistraturës

 

Në Fakultetin e Arteve në USHT, dega pikturë, të enjten më datë 17. 06. 2010, magjistroi kandidati Hilmi Memedi, me temën “PARADIGMA E DHEMBJES NJERËZORE NË PIKTURË”.
Komisioni në përbërje, Prof. Miftar Memeti, Prof. Reshat Ameti, dhe doc. Ilirian Beqiri, e vlerësuan lart punën e bërë nga kandidati.

 


Në mbrojtje të temës kandidati Hilmi Mehmeti, përveç tjerash, theksoi se  njeriu si qenie e gjallë, e ndjeshme dhe delikate, është shumë i komplikuar. Ai është prodhues ndjenjash dhe emocionesh, dhe në çdo moment të jetës së tij, është pre e këtyre komponentave, nga të cilat edhe vetë ai përbëhet. Ndjesia njerëzore ka qenë gjithnjë elementi kryesor i motivimit, për artistët në përgjithësi në të gjithë globin. Shprehje e tyre kanë qenë ndjenjat, por në mënyrë të veçantë artistët me përkushtim të madh e kanë trajtuar dhembjen njerëzore. Artisti si një detektor i ndodhive të së përditshmes, është dëshmitar i ngacmimeve ndjesore nga koha dhe vendi ku është duke jetuar, ngacmime të cilat vijnë nga trysnia e egër e rrethanave kohore, nga ç’gjë, shpesh, qenia njerëzore shpirtërisht transformohet. Pikturimi, ashtu si edhe artet simotra të saj, janë nga fushat e rralla të shprehjes krijimtare, ku pothuajse gjithçka varet nga laboratori i ndjenjave autoriale. Ky fakt ka bërë të mundur që paradigma e dhembjes njerëzore në artin e pikturës të jetë tepër origjinale, ndjesore, deri në përmasat më delikate të sublimes. Artisti është evidentues, që pjesën më të madhe të jetës së tij e kalon përmes këtyre kapitujve  të dhembjes. Këtë dhembje shpirtërore të njeriut, ai e bart me vete përgjatë gjithë jetës, duke e sublimuar  brenda vetes si dhembjen personale, dhe duke bërë prej saj një art që flet, të rrallë e të vlerësuar, për tragjedinë njerëzore të quajtur diktaturë absurdi.

 


Në fjalën e tij, mentori Reshat Ahmeti theksoi faktin se ky kandidat vjen me një bagazh të rrallë ekspozitash personale për moshën që ka, dhe me një mënyrë të pikturuari, që të jep të kuptosh se bëhet fjalë për një qasje krijuese shumë të veçantë, dhe për një kandidat që premton shumë në gjithë hapësirën krijuese shqiptare.

 


Profesorët Miftar Memeti dhe Ilirian Beqiri, theksuan se kandidati Hilmi Mehmeti, ka krijuar me çelësin e veçantisë edhe përgjatë studimeve të rregullta dhe studimeve master, ndaj  sot ky kandidat del përpara nesh me një punë të konsoliduar, me një temë që është aktuale përherë, dhe me një mënyrë pikturimi shumë të veçantë.

 

 

Zyra për Informim

 

 

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000