Në USHT, vijon procesi i regjistrimeve në ciklin e parë dhe të dytë
Njoftohen të gjithë kandidatët që kanë konkurruar në afatin e parë të regjistrimit në Universitetin Shtetëror të Tetovës, se shpallja e listës preliminare do të publikohet më 22 gusht, shpallja e vendimit për pranim të kandidatëve më 24 gusht dhe regjistrimi i kandidatëve do të bëhet prej 24 deri 30 gusht.
Procesi i regjistrimit do të vijojë me afatin e dytë, prej 1 deri 3 shtator. Në afatin e dytë dhe të tretë të regjistrimit, në fakultetet në të cilët do të ketë vende të lira, të drejtë konkurrimi do të kenë kandidatët të cilët i janë nënshtruar dhe me sukses e kanë kaluar maturën shtetërore, por kanë zgjedhur lëndë interne të cilat nuk janë kompatibile me lëndët të cilat figurojnë në Listën 1 nga Konkursi, si dhe kandidatët të cilët me sukses e kanë kaluar maturën shkollore.
Numri dhe kushtet për regjistrim të kandidatëve në afatin e dytë dhe të tretë do të përcaktohet me Konkurs plotësues për regjistrimin e studentëve në studimet deridiplomike.
Në fakultetet në të cilët ka vende të lira, afati i III i regjistrimit do të realizohet nga 13 deri 16 shtator 2011.
Po ashtu, prej 17 gusht deri 7 shtator në USHT do të realizohet edhe konkursi për transferimin dhe regjistrimin e studentëve në fakultete dhe njësi akademike për vitin akademik në vijim.
Të drejtë transferimi brenda njësive akademike të USHT-së kanë të gjithë studentët që kanë index të USHT-së, ndërsa nga institucionet tjera të arsimit sipëror në njësitë akademike të USHT-së kanë të drejtë të gjithë studentët që kanë regjistruar dhe të përfunduar së paku një vit akademik nga Universiteti (ose kanë diplomuar) prej nga vjen kandidati.
Studenti mund të transferohet në fakultetin dhe programin e njëjtë studimor, ose në drejtime të ngjashme me fakultetet dhe programet studimore të USHT-së. Ngjashmërinë e programeve studimore e përcakton fakulteti.
Në Universitet mund të regjistrohen edhe kandidatët që kanë kryer shkollën e lartë ose të ngjashme. Regjistrimi i tyre bëhet në bazë të ngjashmërisë së provimeve të dhëna dhe programeve studimore të shkollimit paraprak.
Kandidatët që transferohen në USHT regjistrohen me vetëfinancim në studime.
Universiteti Shtetëror i Tetovës në studimet e magjistraturës, për vitin akademik 2011/12 do të regjistrojë 949 studentë të rregullt dhe me korrespodencë. Ky proces do te realizohet në dy afate: 15 gusht deri 09 shtator, afati i parë, dhe më 21 deri 27 shtator, afati i dytë.
Ju urojmë suksese!

|