QeSHK-u shpall fituese Flaka Pollozhanin për esenë më të mirë
Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë (QeSHK) e USHT, organizoi aktivitetin për ndarjen e çmimeve në garën studentore për krijimin e eseve më të mirë, me temë: ,,Diplomacia amerikane dhe faktori shqiptar në Ballkan”.

Aktivitetin e sotëm, në emër të udhëheqësisë së USHT-së e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Juridik, Mr.sc. Agim Nuhiu. Ai me këtë rast, duke folur për marrëdhëniet shqiptare-amerikane, theksoi: ,,Historikisht marrëdhëniet në mes amerikaneve dhe shqiptarëve kanë qenë në nivelin e duhur dhe të njëjtat, me kalimin e viteve u forcuan akoma më shumë.

Konfliktet ndëretnike në Ballkan, sidomos lufta e Kosovës, ndërhyrja dhe angazhimi maksimal i diplomacisë amerikane e vulosi njëherë e përgjithmonë miqësinë në mes dy kombeve me qytetërim të lashtë. Angazhimi amerikan, karshi shqiptareve vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës së Kosovës dhe siç e dini, lufta e 2001 në Maqedoni tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe kontributi i aleatit tonë të përhershëm, popullit amerikan, ishte i lartë”, theksoi dekani i Fakultetit Juridik, mr. sc. Agim Nuhiu.

Organizator i kësaj gare studentore ishte Qendra për Shërbime Studentore dhe Karrierë (QeSHK) e USHT. Koordinatori i kësaj qendre, z. Daut Memeti, theksoi se: ,,Nëpërmjet kësaj gare studentore, QeSHK tentoi që studentëve t’u jep mundësi që me dijet dhe njohuritë e tyre nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare të elaborojnë dhe të pasqyrojnë raportet shqiptaro-amerikane, duke u nisur nga gjeneza e tyre, zhvillimi e deri në ditët e sotme. Duke u nisur nga rëndësia e raporteve shqiptaro-amerikane, si dhe mungesën e trajtimit të kësaj çështje, ne si qendër e pamë të arsyeshme që nëpërmjet kësaj gare përmes eseve, të kontribuojmë sadopak në kultivimin dhe elaborimin e kësaj tematike,” theksoi Memeti.

Këtë garë studentore e ka ndihmuar edhe Këndi Amerikan në Tetovë, nëpërmjet koordinatorit të tij, z. Gëzim Sulejmani. Sulejmani duke ju drejtuar të pranishmëve, u bëri thirrje që ta vizitojnë këtë kënd, pasi siç tha: ,,Këndi Amerikan në Tetovë, synon të jetë një vatër e ngrohtë e miqësisë në mes të qytetarëve tanë dhe atyre të SHBA-ve. Aty do të gjeni një urë miqësie të shkëmbimeve kulturore, shkëmbimit të programeve për studime në SHBA, informacioneve për bursa, etj”, theksoi në mes tjerash koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, Gëzim Sulejmani.

Juria profesionale e përbërë nga magjistri i shkencave filozofike, Isak Sherifi, profesori i historisë dhe njëherësh studiuesi, Ismet Jonuzi-Krosi, koordinatori i Këndin Amerikan në Tetovë, Gëzim Sulejmani, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Remzi Mehmedi, si dhe stafi i Qendrës për Shërbime Studentore dhe Karrierë, pas konsultimeve të vazhdueshme për vlerësimin e eseve pjesëmarrëse vendosën që fitues të kësaj gare studentore me ese të jenë:
Çmimin e parë e mori, studentja e vitit të dytë në Fakultetin Juridik, Flaka Pollozhani, çmimin e dytë, studentja e Fakultetit Ekonomik, Hava Kurtishi, ndërsa çmimin e tretë, Bujar Zulfiu, student i studimeve pasdiplomike në Fakultetin Juridik.
Për fituesit e tri vendeve të para, organizatorët kishin përgatitur edhe çmime në të holla si dhe komplete librash.
Zyra për informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542 |