Lajme:

 

Prof. dr. Olgun Guven, nga Universiteti Hacettepe i Ankarasë, ligjëroi në USHT për rëndësinë e nanopolimereve

 

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, gjatë ditës së enjte, më 22.04.2010, qëndroi prof. dr. Olgun Guven, nga Universiteti Hacettepe, Ankara, Republika e Turqisë. Profesori Guven, fillimisht u prit në një takim nga prorektori për shkencë i USHT-së, doc. dr. Reshat Qahili. Gjatë këtij takimi u biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit Hacettepe, nga Ankara e Republikës së Turqisë. Prof. dr. Olgun Guven u shpreh i gatshëm që edhe në të ardhmen të pranojë në Universitetin Hacettepe, profesorë dhe asistentë të USHT-së, të cilët dëshirojnë të kryejnë specializime shkencore.

 


Pas takimit me prorektorin, doc. dr. Reshat Qahili, prof. dr. Olgun Guven, në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së mbajti një ligjëratë lidhur me nanopolimeret dhe procesuimin e tyre me rrezatim. Në këtë ligjëratë, përpos prorektorit për shkencë të USHT-së, doc. dr. Reshat Qahili, ishin të pranishëm edhe një numër i madh i profesorëve, asistentëve dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, përkatësisht Programit studimor të Farmacisë

 


Ligjërata e prof. dr. Olgun Guven zgjoi interesim të madh te studentët, pasi mundësia e shfrytëzimit të nanogrimcave në fusha të ndryshme teknike-teknologjike, mjekësore, apo farmaceutike, çdo ditë e më tepër vjen duke u shtuar. Profesori Olgun Guven, para të pranishmëve shpalosi një informacion të gjerë, duke filluar prej dukurisë së nanopolimereve, si një klasë e posaçme e nanogrimcave, procesuimi me rrezatim gama i tyre, me qellim të prodhimit dhe të ndërtimit të vetive të tyre për qëllime specifike të përdorimit, mundësitë e aplikimit në lëmi të ndryshme të jetës, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet njerëzimi nga aplikimi i tyre në kuptimin e ndikimit mbi ambientin dhe dukuri të tjera.

 


Ligjërata zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm në mesin e studentëve dhe stafit akademik të USHT-së. Gjatë qëndrimit të tij në USHT, prof. dr. Olgun Guven shoqërohej nga dr. Naim Mahmudi, profesor në FSHMN të USHT-së, i cili para do kohe ka qëndruar në Universitetin e Hacettepes, në Ankara të Republikës së Turqisë.

 

Zyra për Informim-USHT

 

 

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000