Ambasadori i Republikës së Shqipërisë për vizitë pune në USHT
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ekselenca e Tij, z. Arben Çejku, të mërkurën, më 24 mars 2010, qëndroi për vizitë pune në USHT.

Ambasadori shqiptar ka realizuar takim të përbashkët pune me Prorektorin për mësim, prof. dr. Ismail Ahmedi dhe Prorektorin për shkencë, doc. dr.Reshat Qahili.

Me këtë rast, Prorektori për mësim e njoftoi ambasadorin Çejku për punën dhe aktivitetet e Universitetit, për procesin mësimor - shkencor dhe përpjekjet maksimale që bën udhëheqësia e USHT-së për krijimin e kushteve të nevojshme infrastrukturore, për të gjitha fakultetet, në mënyrë të barabartë, përfshirë këtu edhe ato të disperzuara në qytetet tjera të vendit.

Ambasadori Arben Çejku i përgëzoi drejtuesit e Universitetit për nivelin e bashkëpunimit me të gjitha universitetet dhe premtoi se në të ardhmen do të angazhohet në thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe vëllazërore me universitetet nga Republika e Shqipërisë. ,,Universiteti Juaj, me punën shkencore dhe akademike luan rol të rëndësishëm në arritjen e prioriteteve të kombit shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë”, theksoi mes tjerash Ambasadori Çejku.

Në fund të takimit, Prorektori prof. dr. Ismail Ahmedi, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për kontributin e veçantë, bashkëpunimin e frytshëm, ndihmën dhe përkrahjen për Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe arsimin sipëror në gjuhën shqipe, Ambasadorit shqiptar i dhuroi një Plaketë me emblemën e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Zyra për informim -USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542
|