Lajme:

 

USHT dhe UEJL nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi

 

Në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës u nënshkrua Marrëveshja për bashkëpunim në mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Marrëveshjen, në praninë e stafeve drejtuese të dy universiteteve e nënshkruan Rektorët, Prof. dr. Agron Reka dhe Akademik Alajdin Abazi.

 


Me anë të kësaj Marrëveshje, të dy universitetet kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë në këto lëmi:

  • Të organizojnë dhe zbatojnë arsimim deridiplomik dhe postdiplomik, shkëmbimin e përvojave  dhe informacioneve për programet studimore, metodat dhe procedurat didaktike në studimet shkencore dhe arsimore të miratuara në veçanti;
  • Shkëmbimin e studentëve;
  • Shkëmbimin e profesorëve, në bazë të një marrëveshje të veçantë;
  • Shkëmbimin e profesorëve në programet e përbashkëta studimore;
  • Në pajtim me rregullat e të dy universiteteve, studentëve në studimet deridiplomike d’u mundësohet transfer në universitetin tjetër;
  • Të organizojnë dhe zbatojnë  projekte të përbashkëta hulumtuese dhe për shkëmbim të ndërsjellë të informacioneve dhe rezultateve nga hulumtimet;
  • Zhvillim i aktiviteteve arsimore dhe hulumtuese shkencore;
  • Për shkëmbimin e botimeve të publikuara nga universiteti dhe të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve shkencore dhe arsimore;
  • Për bashkëpunim të bibliotekave dhe shkëmbimin e literaturës, artikujve dhe broshurave;
  • Për bashkëpunim të studentëve dhe organizatave studentore në fushat akademike, kulturore dhe aktiviteteve sportive;
  • Për shkëmbim të informacioneve dhe koordinim të kërkesave për pranim të studentëve në studimet deridiplomike dhe postdiplomike;
  • Për botime;
  • Për organizim dhe pjesëmarrje në tubime shkencore dhe profesionale, konferenca, simpoziume dhe forma të tjera arsimore, si dhe në lëmi të ngjashme ku mund të realizohet bashkëpunim i ndërsjellë;

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka, deklaroi se me anë të kësaj Marrëveshje, përfundimisht do të rregullohen më shumë aspekte të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes dy universiteteve tona, në radhë të parë të avancimit të kushteve dhe ofertave për studim dhe punë për studentët dhe profesorët tanë.

 


Sipas Rektorit të USHT-së, Prof. dr. Agron Reka: ,,Përpos sferës së bashkëpunimit në sferën akademike, me këtë Marrëveshje, po ashtu rregullohet edhe bashkëpunimi në mes të organizatave studentore, kështu që vlerësoj dhe besoj, se prej ditës së sotme, bashkëpunimi në mes USHT-së dhe UEJL-së, do të jetë shumë më i frytshëm dhe më domethënës. E tërë kjo në të mirë të studentëve dhe stafeve akademike të dy universiteteve tona, por edhe të arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë”.

 


Kënaqësinë e tij për nënshkrimin e kësaj Marrëveshje e shprehu edhe Rektori i UEJL-së, Akademik Alajdin Abazi, duke theksuar se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje është një hap i madh jo vetëm për dy universitetet, por edhe për mbarë arsimin sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.

 


Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka, homologut të tij nga UEJL-ja, akademik Alajdin Abazit, me motivacionin për merita të veçanta në fushën e arsimit sipëror i dhuroi pllaketën e USHT-së, ndërsa Rektori i UEJL-së, Akademik Alajdin Abazi, Rektorit të USHT-së, prof. dr. Agron Reka, në shenjë mirënjohje i dhuroi pllaketën e UEJl-së, si dhe një pikturë.

 

 

 

Zyra për informim

 

 

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000