Lajme:

 

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës filluan ,,DITËT E HAPURA”

 

Me moton ,,Ardhmëria krijohet me një zgjidhje, vendos sot për të ardhmen tënde!”, sot më 28.04.2010, në hapësirat para Rektoratit filluan “Ditët e hapura të USHT”.  Me rastin e hapjes së këtij manifestimi, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, theksoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës organizon një aktivitet të rëndësishëm, për prezantimin e ofertës akademike dhe shkencore, për studentët e ardhshëm, për vitin akademik 2010/2011.

 


“Universiteti ynë është i hapur për të gjithë, pa dallime etnike, fetare, gjinore apo racore. Institucioni ynë synon ngritjen profesionale të brezave dhe ngritjen e vetëdijes kolektive. Aktualisht, Universiteti Shtetëror i Tetovës ka në gjirin e vet 11 fakultete, 35 programe studimore, 93 drejtime studimore dhe tre Institute hulumtuese-shkencore, si njësi akademike, përmes të cilave mundëson edhe vijimin e studimeve të disperzuara në disa qytete të tjera, si në Kërçovë, Shkup, Strugë,  Kumanovë, ndërsa në vitin e ardhshëm akademik, Universiteti ynë do të disperzohet edhe në qytetin e Dibrës. Që nga semestri i dytë i këtij viti akademik, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, funksionon në qytetin e Gostivarit”, theksoi në mes tjerash Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka.

Fjalimi i Rektorit të USHT-së, prof. dr. Agron Reka

 

 

Në kuadër të manifestimit ,,Ditët e hapura të USHT”, studentët e Fakultetit të Arteve, para të pranishmëve prezantuan mënyrën e punimit të skulpturave dhe pikturave, të cilat zgjuan kërshërinë e vizitorëve të shumtë. Me rastin e ,,Ditëve të hapura të USHT-së”, Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turnir në futboll të vogël, në të cilin përpos ekipit të universitetit, morën pjesë edhe ekipet e shkollave të mesme të Tetovës. Fillimin e turnirit e shënoi Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, i cili pjesëmarrësve ju dëshiroi çaste të këndshme dhe shoqërim të mirë, ndërsa fitues u dëshiroi që të shpallin ndër fituesit e këtij turniri më të mirët.

 


Manifestimin “Ditët e hapura të USHT-së”, me prezencën e tij e nderoi edhe Atasheu për kulturë dhe arsim i Ambasadës së SHBA-ve, në Shkup, Xhon Surfejs, i cili me këtë rast realizoi një takim me prorektorin për arsim të USHT-së, prof. dr. Ismail Ahmedin, ndërsa morri pjesë edhe në promovimin e librit ,,Ura miqësie”, të autorit Gëzim Sulejmani, i cili është edhe koordinator i Këndit Amerikan në Tetovë. Atasheu Surfejs e vlerësoi lartë punën e autorit të librit, Gëzim Sulejmani, në përmbledhjen e aktiviteteve të shumta të Këndit Amerikan në Tetovë. Ai, me këtë rast, theksoi se miqësia është ndjenja më e mirë e njeriut. Segmentin e miqësisë e vuri në pah edhe recensenti i librit, Salajdin Salihu, si dhe redaktori, Bardhyl Zaimi. Bardhyl Zaimi theksoi se “Ura miqësie” është libër që përfshin brenda vetës të gjitha dimensionet e funksionimit të Këndit Amerikan në Tetovë. Nëpër faqet e këtij libri nëpërduken një sërë aktivitetesh, të cilat tashmë i kanë dhënë këtij Këndi frymën e përgjëruar të komunikimit, të dialogut të përhershëm dhe të njohjeve kulturore. Gama e gjerë prezantimeve nga ekspertë të fushave të ndryshme nga SHBA-të, interaksioni i përhershëm me publikun e Tetovës, si dhe pjesëmarrja e gjerë e njerëzve të kategorive të ndryshme në ngjarjet të organizuara nga ky kënd kanë hapur horizontin e bashkëpunimit dhe në të njëjtën kohë kanë vendosur në pentagramin e interkomunikimit kulturor notat më të mirëqena të miqësisë, si një vlerë bazale njerëzore, theksoi Zaimi.

 


Aktivitetet për të shënuar “Ditët e hapura të USHT-së” do të vazhdojnë edhe më 29.04.2010, me ç’rast, maturantët e të gjitha shkollave të mesme, nga vendi dhe më gjerë, kanë mundësi të njihen më për së afërmi me format e organizimit të studimeve, metodat e mësimit, modelin e studimeve dhe kushtet  për regjistrim në fakultetet dhe programet studimore të USHT-së.

 

 

Zyra për informim-USHT

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000