
Lajme:
Fakulteti i arteve – Dega e Muzikës me aktivitete të shumta shënoi festat e fundvitit
Dega e Muzikës që funksionon në kuadër të Fakultetit të arteve të USHT-së, festat e Vitit të Ri, i shënoi me disa aktivitete. Fillimisht në lokalet e këtij fakulteti që gjenden tek Qendra Kulturore e Tetovës, u organizua Tribunë Muzikologjie kushtuar 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur shqiptarë Lorenc Antonit.
Kjo tribunë, njëherit është edhe e para e këtij lloji që mbahet në këto hapësira. Në prani të një numri të konsiderueshëm të studentëve të Fakultetit të Arteve si dhe dashamirëve të muzikës, për rëndësinë e kësaj tribune, foli, Shefi i Programit Studimor të Muzikës, Mr. Fatos Lumani.
Për jetën dhe veprën e kompozitorit Lorenc Antoni, foli studentja e Etnomuzikologjisë, Liveta Arsllani. Ajo me këtë rast tha se Lorenc Antoni ishte një personalitet i shënuar në kulturën dhe artin në Kosove, pasi me gjithanshmërinë e tij duke punuar si studiues, etnomuzikolog, muzikolog dhe kompozitor i shquar i siguroi vetes vendin e merituar në historinë e muzikës shqiptare.
Lorenc Antoni lindi më 23 shtator të vitit 1909 ne Shkup, ku i mori njohuritë e para për muzikë, duke mësuar privatisht nga muzikant të njohur të asaj kohe.
“Lorenc Antoni, është një studiues i madh i cili e meriton epitetin e të parit për atë çka ka bërë dhe ka aritur në hulumtimin dhe studimin e folklorit shqiptar. Ai ishte mbledhës, përpilues i blejeve, analitik, studiues, pra ishte etnomuzikolog në plot kuptimin e fjalës, i cili bëri që muzika popullore shqiptare të dihet dhe njihet”, theksoi studentja e Etnomuzikologjisë, Liveta Arsllani.
Sipas drejtuesve të programit Studimor të Muzikës, ky koncert u organizua, pasi skena asesi nuk mund të mendohet pa artistin, por edhe artisti pa skenën. Dhe nëse pretendohet që të nxiren artistë të mirëfilltë nga ai fakultet, është mëse e logjikshme që ata kohë pas kohe të arriturat e tyre t’i prezantojnë para publikut dhe të marrin vlerësimin e tyre.
Manifestimi qendror i organizimeve të Degës së Muzikës me rastin e Vitit të Ri, ishte Koncerti i organizuam më 29.12.2009, në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së. Në këtë koncerte me pikat e tyre vokalo-instrumentale u prezantuan studentët dhe profesorët e Degës së Muzikës. Koncertin e hapën studentët e klasës së Prof. Blerim Grubit, me disa pika të përzgjedhura me muzikë kamertale.
Profesorët e Muzikës, Besiana Mehmeti dhe Shkëlzen Baftiari, u prezantuan me pika të veçanta, ku përshtypje të veçantë me virtuozitetin e tij në piano, tek të pranishmit la Shkëlzen Baftiari me “Fluturimin e Brumbullit” .
Duhet thënë se Tribuna Muzikologjike dhe Koncerti i Studentëve janë organizimet e para të llojit të tyre që organizohen për herë të parë nga ana e Programit Studimor të Muzikës të USHT-së, edhe atë me iniciativë të Prodekanit të Fakultetit të arteve dhe njëherit shef i Programit Studimor të Muzikës, Mr. Fatos Lumani. Zyra për Informim - USHT.
|
GAZETA UNIVERSITARE
PARLAMENTI I STUDENTËVE
PROGRAMI ERASMUS
ISO 9001 - 2000



