Lajme:

 

Mesazhi i Rektorit të USHT-së, Prof.dr. Agron Reka me rastin e Vitit të Ri

 

Me rastin e festave të fundvitit, rektori i Universitetit shtetëror të Tetovës, Agron Reka, gjatë një konference për shtyp në Tetovë, krahas përcjelljes së mesazhit për Vitin e Ri, ka prezantuar para opinionit rezultatet dhe të arriturat në punën dhe veprimtarinë gjatë vitit të kaluar të USHT-së
"Para pak ditësh, Universiteti Shtetëror i Tetovës e festoi përvjetorin e 17-të dhe me këtë rast i shpalosëm edhe aktivitetet e zhvilluara dhe sukseset gjatë vitit të kaluar. Vlen të ritheksojmë se Universiteti ynë edhe gjatë vitit që lëmë pas e ka zhvilluar me sukses të plotë veprimtarinë e tij mësimore-shkencore në të dy ciklet e studimeve, në studimet themelore dhe ato të magjistraturës, si dhe mbarëvajtja e mësimit dhe veprimtaritë tjera akademike janë zhvilluar me sukses të plotë, si në qendrën e tij në Tetovë, edhe në fakultetet dhe programet studimore të disperzuara, në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër", ka thënë në fillim të konferencës rektori Reka.

Këtë vit akademik, në afatet e rregullta për regjistrimin e studentëve të rinj, Reka informoi se janë plotësuar në shkallë të kënaqshme të gjitha vendet e parapara, kështu që në këtë vit akademik janë regjistruar mbi 4.500 studentë të rinj, nga të cilët pjesa më e madhe e tyre me kuotë shtetërore.

"Po ashtu Universiteti ynë i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë drejtim duhet të theksojmë sidomos Marrëveshjet për bashkëpunim me një numër të konsiderueshëm të universiteteve nga vendi, regjioni dhe më gjerë, si: me Universitetin e Mjekësisë, në Grac të Austrisë, Universitetin e Zagrebit, Universitetin e Teknologjisë Ushqimore në Plovdiv të Bullgarisë, Universitetin e Novi Sadit, Universitetin ,,Shën Kirili dhe Metodi” në Veliko Tërnovo të Bullgarisë, Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan të Republikës së Shqipërisë, Universitetin për Teknologji Informatike "Shën Apostol Pali" në Ohër, Universitetin e Nishit, Universitetin e Sarajevës, Universitetin e Zenicës, Universitetin e Banja Llukës, Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Universitetin Bujqësor nga Republika e Shqipërisë, Universitetin e Kocaelit, Universitetin e Bilexhikut dhe Universitetin Sakarya nga Adapazari i Republikës së Turqisë", informoi Agron Reka.

Ai më tej njoftoi se USHT-ja gjatë vitit të kaluar ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me disa ndërmarrje private në të cilat studentët e realizojnë punën praktike.

"Ne në universitet, vitin që lëmë pas do ta kujtojmë edhe për organizimin e aktiviteteve dhe manifestimeve të shumta shkencore, disa prej të cilave janë realizuar në bashkëpunim me institucionet tjera arsimore nga vendi dhe jashtë, si: Seminari për mësimdhënësit e gjuhës gjermane, Konferenca shkencore, me temë: 'Zhvillimi rural në Ballkanin Perëndimor', prezantimin e projektit 'Përforcimi i kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm që punojnë me fëmijë, në shoqëritë multietnike'; Konferencën vjetore ballkanike të universiteteve, të organizuar në Shkup; Simpoziumin shkencor për jetën dhe veprën e Josif Bagerit, me rastin e 10 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit etj", informoi ai.

Ai më tej ceki edhe një të arritur tjetër, që është shënuar me mbajtjen e Seminarit të V Ndërkombëtar të Albanologjisë, i cili këtë vit i zhvilloi punimet në Tetovë dhe Shkup, në të cilin studiues të dëshmuar në fushat albanologjike, nga vendi, rajoni dhe bota, i prezantuan punimet e tyre në temën bosht: "Sfidat e kulturës shqiptare në shekullin e ri".

Një nga ngjarjet më të rëndësishme gjatë këtij viti për USHT-në rektori Agron Reka theksoi se a qenë edhe ndarja e Çmimit "Honoris kauza", doktor nderi i shkencave i Universitetit Shtetëror të Tetovës, i cili këtë vit iu nda Rektorit të Universitetit të Trakisë, Prof. dr. Enver Duran, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave arsimore, shkencore dhe humane, sidomos në fushën e mjekësisë, në Republikën e Turqisë, në rajon dhe më gjerë.

"Këto janë vetëm disa nga rezultatet e arritura gjatë vitit që lamë pas, ndërsa për vitin e ardhshëm akademik Universiteti Shtetëror i Tetovës gjithashtu do të kujdeset në vazhdimësi për përmbushjen e misionit të tij dhe realizimin e të gjitha reformave të nevojshme në arsimin sipëror", tha ai.

Në fund, me dëshira për një vit më të begatshëm dhe të përmbushur me fitore të reja, rektori Reka ua uroi festat e fundvitit të gjithë miqve dhe dashamirëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000