Ministri Nexhati Jakupi dhe Drejtuesit e SILMAK-ut vizituan Universitetin Shtetëror të Tetovës
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Maqedonisë, Z. Nexhati Jakupi, i shoqëruar nga drejtuesit më të lartë të Kombinatit metalurgjik ,,SILMAK” nga Jegunovca: Drejtori i përgjithshëm Vlladimir Shedrovicki, Zëvendësdrejtori Kostas Jankoglu dhe Drejtori teknik Branisllav Gjuroviç, e vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Delegacioni i udhëhequr nga ministri Jakupi, në Rektoratin e USHT-së, u prit nga Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Agron Reka, i cili shoqërohej nga Prorektorët, Prof. Dr. Ismail Ahmedi dhe Prof. Dr. Reshat Qahili, si dhe nga Shefja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Valdrina Fetai.
Në këtë takim, i cili u vlerësua si mjaft i dobishëm, u bisedua për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Kombinatit metalurgjik ,,SILMAK”. Nga ana e Rektorit Reka, mysafirët u njoftuan për fushat përkatëse ku do të mund të kishte bashkëpunim, siç janë: Programi studimor i Kimisë, Programi studimor i Inxhinierisë ekonomike, Instituti i Ekologjisë dhe Teknologjisë, si dhe programet tjera studimore.
Nga përfaqësuesit e Kombinatit metalurgjik ,,SILMAK” u tha se bëhet përpjekje që e tërë ajo teknologji e vjetruar që ka momentalisht ky kombinat, duhet të zëvendësohet me një teknologji bashkëkohore të cilën e kërkon koha si dhe ekonomia e tregut. Një nga çështjet që u potencuan në këtë takim ishte edhe ajo se ,,SILMAK” mund të ofrojë bursa për studentët e profileve që janë të nevojshme për këtë kombinat, të cilët pas diplomimit do të kenë mundësi për punësim në kompaninë në fjalë.



Zyra për Informim
|