Lajme:

 

Dy magjistra të rinj në Programin studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe

 

Në Programin studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, më 26.03.2010, i mbrojtën temat e magjistraturës dy mësimdhënës të letërsisë. Kandidati i parë, asistenti Arlind Farizi, në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, para komisionit në përbërje: Akademik Ali Aliu, prof. dr. Salajdin Mehmeti dhe doc. dr. Luljeta Isaku – mentor, me sukses e mbrojti temën e magjistraturës, me titull: “Universi i vendlindjes në lirikat e Murat Isakut”.

 


Kandidati Arlind Farizi, duke folur për veprën e poetit Murat Isaku, theksoi se ,,lirika e Murat Isakut mbijetoi si një tërësi realiste, me një notë të theksuar sociale si dominante, si shprehje e vetëdijes individuale dhe gjithëkombëtare. Në tërësi, Murat Isaku arsyeton devizën: Poeti është ndërgjegjja e kohës dhe e popullit të vet. Prandaj, jo rastësisht, lirika e Muratit është përkthyer dhe prezantuar në një varg panoramash e antologjish  në gjuhë të huaja.

 


Komisioni e vlerësoi lartë punimin dhe mbrojtjen publike, nga ana e kandidatit Arlind Farizi, duke i dhënë atij gradën shkencore: Magjistër i letërsisë shqipe.

 


Po të njëjtën ditë dhe në vendin e njëjtë, punimin e magjistraturës e mbrojti edhe Fatmir Sulejmani, para komisionit në përbërje: Akademik Ali Aliu, prof. dr. Salajdin Memeti dhe akademik Luan Starova – mentor. Kandidati Fatmir Sulejmani e mbrojti punimin e magjistraturës me titull: “Faik Konica - eseist”.
Në mbrojtjen publike të temës, kandidati Fatmir Sulejmani vlerësoi se Faik Konica është shkrimtar i realizuar, i cili ka lënë pas vetes disa vepra të arrira, që kapërcejnë pragun e standardit të kombit.

 

 

Ai, të paktën në zhanrin e esesë, kapi nivelet e letërsisë më të arrirë evropiane. Gati tërë krijimtaria e Konicës (shkrimet publicistike, portretet, shkrimet kritike, epistolari...) i takojnë zhanrit të esesë - këtij lloji të shkrimit që i shkonte shumë natyrës së tij të rrëmbyer... dhe përmes të cilit, ai kapi dhe ndërlidhi idetë shqiptare me ato evropiane, duke u përpjekur të riparojë kontinuitetin e ndërprerë të gjuhës e të kulturës shqiptare nga sundimi gati pesëshekullor otoman, përkatësisht, duke u përpjekur ta kthejë gjuhën dhe kulturën shqiptare atje ku e ka vendin e saj të natyrshëm, në gjirin e Evropës.

 


Punimin e magjistraturës, si dhe mbrojtjen publike të të njëjtit kandidat, komisioni e vlerësoi mjaft lartë, duke e konsideruar si një ndër mbrojtjet më të mira të punimit të magjistraturës deri më tani, duke i dhënë kështu gradën shkencore: Magjistër i letërsisë shqipe. Në këtë mënyrë, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, e USHT-së, u pasurua edhe me dy magjistra të rinj.

Zyra për Informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044/356 500, lokal 542

 

 

 

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000