6

Reagim i Shërbimit për informim të USHT-së lidhur me shkrimin e Llokman Hebibit

Senati i USHT-së njeh vetëm procedurën ligjore

Shërbimi për informim i USHT-së reagon lidhur me shkrimin e Llokman Hebibit, të botuar në gazetën “Lajm”, të datës 14 maj, me titull: “Senati i USHT-së nuk e ka mbajtur premtimin”, në të cilin jepen disa dezinformata dhe spekulime të pabaza për pranimin e kuadrove në USHT. Hebibi pa të drejtë thekson se “në Fakultetin Ekonomik po punon z-sha Irena, asistente (pa magjistraturë)...”

Z. Hebibi, pjekuria akademike nuk duhet bazuar në interpretime subjektive dhe paragjykime, por në fakte objektive. Ne plotësisht e kuptojmë orvatjen tuaj për transparencë të plotë në procedurën e pranimit të kandidatëve, që është edhe synimi jonë. Njoftojmë opinionin publik se, sipas konkursit të USHT-së, të shpallur në dhjetor të vitit të kaluar, dhe Buletinit numër 4/2 (16.03.2007), nuk është pranuar në marrëdhënie pune asnjë asistent në Fakultetin Ekonomik, as edhe emri i Irenës si asistente, me të cilën Hebibi po mundohet të manipulojë, ose është manipuluar.

Hebibi pretendon se u është bërë padrejtësi kandidatëve gjatë pranimit të kuadrit mësimor në Fakultetin Ekonomik. Sa për informatë, ua bëjmë me dije se USHT nuk është pronë private as e rektorit, prof. dr. Sadi Bexheti, as e senatorëve dhe as e profesorëve. Bëjmë me dije se zgjedhja e bashkëpunëtorëve dhe profesorëve bëhet me një procedurë që është konform Ligjit për arsimin sipëror të Republikës së Maqedonisë dhe Statutit të USHT-së. Kjo do të thotë se nga fakulteti përkatës caktohet komisioni recensues që i shqyrton dokumentet, ndërsa ky komision verifikohet nga Këshilli i Rektoratit dhe të gjitha kërkesat përcillen deri te Senati i USHT-së. Për sa i përket kandidimit të Hebibit, duhet theksuar se Këshilli i Rektoratit nuk e ka pranuar raportin e Komisionit recensues, kështu që materiali as që ka pas nevojë të shkojë në Senat, ku votimi bëhet në mënyrë të fshehtë.

Në USHT, për cdo kandidat ka kritere të caktuara dhe respektohet Ligji për arsimin sipëror. Habit fakti përse ky kandidat nuk ka bërë ankesë në afatin e duhur, pas shpalljes së Buletinit ku janë emrat dhe mbiemrat e kandidatëve të pranuar, për të cilët nuk ka pasur asnjë vërejtje.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.